Pas një heshtjeje disi të gjatë, te Iliria duket se kanë nisur lëvizjet e para për sezonin e ri, ku do të synohet ndërtimi i një ekipi më kompakt. Është vetë tekniku Fatmir Sala, që për “Sport Ekspres” tregon planet e së ardhmes, synimet në merkato, por nuk lë pa komentuar edhe përfundimin e skuadrës së tij në grupin B.
– Z. Sala, çfarë po ndodh me Ilirinë për momentin?
– Ne vijojmë të jemi me pushime dhe vetëm më 24 korrik do mblidhemi, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja për sezonin e ri, duke qenë se tashmë jeni pjesë e grupit B?
– Objektivi ynë dihet që është qëndrimi në kategori, nuk është se presim të shpallemi kampion. Megjithatë, presim të zhvillojmë një sezon më të mirë se dy edicionet e fundit.
– Skuadra juaj përfundoi në grupin B. Më mirë apo më keq për ju?
– Të them të drejtën, kalimi në grupin B na rrit shpenzimet, dhe për një ekip me buxhet bashkie dihet sa e vështirë është. Megjithatë, të paktën në jug luhet futboll, në qoftë se je i zoti merr pikë edhe jashtë.
– A i keni piketuar lojtarët që do të mbani në skuadër nga pjesa që mbyllën sezonin me Ilirinë?
– Të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e formacionit do t’u ofrohet kontratë rinovimi.
– Po afrime, keni kryer ndonjë, apo synoni të kryeni?
– U kemi kërkuar ish lojtarëve që kanë spikatur në të shkuarën te Iliria që të bëhen pjesë e jona, megjithatë ende nuk kemi marrë përgjigje, jemi në pritje!