Sadiku “shënjestron” Bogun, profecia nisi 5 vite më parë!

0

 

Në “Qemal Stafa”, përballë Qipros, në shtator të vitit 2012, sulmuesi nga Elbasani do të realizonte golin e tij të parë kuqezi, ndërsa ish-goleadori, të fundit me fanellën e Shqipërisë

Anton Cicani

Në mitologjinë greke, ekziston një “hero absurd”, që megjithatë në vetvete përcjell një mesazh të rëndësishëm për njerëzimin… Po flasim për Sizifin, që pasi zemëroi Hyjnitë, u detyrua, si dënim, që të ngjiste në majën e një mali një copë masivi shkëmbi në përjetësi dhe e gjithë tortura nuk qëndronte te fakti që do ta ngjiste, por që sa herë masivi shkëmbor do të ndodhej pranë majës, do të rrokullisej dhe gjithçka do të niste nga e para… Por, si mund të ishte një personazh apo hero një njeri që bënte të njëjtën gjë dhe që kurrë nuk arrinte objektivin? E thjeshtë, të mos heqësh dorë është një forcë e madhe karakteri dhe personaliteti. Mund ta bënte edhe Sadiku, në disa momente, por nuk e bëri, sidomos kur u skualifikua për 2 vjet pas pështyu një kundërshtar. Veprim i nxituar, i pamatur, por që ndodhi. Nga ajo, gjeti edhe më shumë forcë.

Futbolli, ashtu si edhe vetë jeta jonë, është diçka ciklike… Njëherë je në majë, një herë tjetër në fund, por gjatë rrëzimit, kupton shumë gjëra. Është ai momenti kur nuk duhet të heqësh dorë, kur nuk duhet të mendosh se nuk do t’ia arrish. Dhe, nëse të duhet një shenjë fati, atëherë duhet të jesh tepër i vëmendshëm.

Ndoshta nuk ishte tepër i vëmendshëm atë të natë shtatori 2012, Armando Sadiku, teksa do të dërgonte topin e tij të parë në rrjetën e kundërshtarit, me fanellën kuqezi. Ishte përballja ndaj Qipros dhe ndeshja hapëse e eliminatoreve të Botërorit 2014 në Brazil. Shqipëria e De Biazit përgatitej për të tentuar të pamundurën, që ashtu mbeti, por festa do të ishte e gjitha për djaloshin nga Elbasani, që do të zhbllokonte sfidën në minutën e 36’… Ishte goli i parë kuqezi, ndërsa atë ndeshje do ta fitojmë 3-1, me golin e fundit kuqezi për atë që Armando ka vendosur në shënjestër: Erjon Bogdanin.

Për “Bogun” ishte goli i 18-të me Shqipërinë dhe aty mbyllet “epopeja” e tij. Ndërkohë, pardje, Sadiku do të shënonte golin e 10-të dhe 11-të me kuqezinjtë, vetëm 7 larg Bogdanit, që sot është trajner i U-19 të Shqipërisë. Nga ajo ditë kanë kaluar 5 vjet, ndërsa sot Sadiku është pjekur edhe më shumë dhe ka hyrë në fazën e shpërthimit deçiziv. Atë natë, në “Qemal Stafa” u duartrokit Bogu, së shpejti, ndoshta në po atë truall, por mbi atë stadium, në “Arenën Kombëtare”, mund të duartrokitet Sadiku.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.