Armando Sadiku është kthyer në Shqipëri për pushimet festive dhe sot ka qenë i ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’, ku ka folur për gjithë karrierën e tij si futbollist, por edhe për kombëtaren dhe të ardhmen e tij.
RRITJA – “Futbollin e kam nisur që në moshën 7-vjeçare dhe ka qenë babai im trajneri im i parë, njëkohësisht ai që më shtynte të bëhesha futbollist. Kam luajtur me Turbinën dhe më pas me Gramozin, kur isha vetëm 18 vjeç dhe nuk isha mësuar larg familjes, për t’u kthyer te Elbasani më vonë. Pastaj u largova në Itali, te Kievo, ku qëndrova shumë pak dhe u transferova te Lugano. Aty kam kaluar periudhën më të bukur të karrierës time si futbollist”.
AVENTURA POLAKE – “Te Legia erdha këtë verë, sepse bëhet fjalë për një skuadër me mjaft histori. Nuk e nisëm mirë sezonin, pasi u eliminuam edhe nga kompeticionet europiane, por tani jemi rikthyer në rrugën e duhur. Ndonëse nuk po luaj aq sa dua, jam i gatshëm dhe jam munduar të jap kontributin tim, sa herë që kam zbritur në fushë”.
PLANET – “Për momentin jam shumë mirë te Legia dhe po punoj për të luajtur akoma më shumë. Ëndrra ime është që të luaj në Serinë A, kjo pasi jam i lidhur me Italinë dhe kam kaluar një periudhë mjaft të bukur, në pjesën italisht-folëse të Zvicrës, Lugano”.
ËNDRRA – “Kombëtarja është një ëndërr e bërë realitet. Ndihem mjaft i lumtur që kemi arritur të kënaqim njerëzit me pjesëmarrjen në Europian. Me De Biazin kaluam një periudhë të artë, ndërsa edhe tani me Panuçin jemi në rrugën e duhur. Duam të shkojmë sërish në Europian dhe të bëjmë të lumtur të gjithë shqiptarët”.
MË I MIRI – “Mua më pëlqen shumë Zllatan Ibrahimoviç, por më i miri në botë është Kristiano Ronaldo”.