Lacio duket se vuan ende pasojat e humbjes në derbin me Romën, pasi edhe sot në takimin me Eintrahtin e Frankfurtit ishte e paqartë në lojë dhe pësoi një humbje 4-1.
Takimi nisi me gol për gjermanët të cilët shënuan pa u mbushur 5 minuta lojë. Një ndeshje e gjitha për t’u harruar për skuadrën e Simone Inzagit, pasi që në minutën e 18-të u detyrua të kryente një zëvendësim të detyruar, me Durmishin që i la vendin Luliç. Ndonëse goli i Parolos i bëri të besonin italianët, ekuilibri zgjati vetëm 5 minuta, pasi vendasit shënuan sërish.
Për të ndërlikuar gjithçka menduan Basta në fundin e pjesës së parë dhe Korrea në fillimin e pjesës së dytë, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq. Eintraht shënoi dhe dy herë të tjera duke vulosur gjithçka më pas në fraksionin e dytë.
Mund të veçohet dhe suksesi i Paokut në Bjellorusi. Grekët befasuan Baten në 11 minuta duke i shënuar 3 gola. Në pjesën e dytë u shënuan dhe dy gola të tjerë, nga një për çdo skuadër, me rezultatin që u mbërthye në shifrat 1-4. Rejnxhërsi ka përmbysur Rapidin e Vjenës me rezultatin 3-1, teksa dy golat e shënuar në pjesën e dytë nga skocezët zhvlerësuan rrjetën e Veton Berishës. Në stol e nisi këtë sfidë Eros Grezda.
Çelsi ka vuajtur jo pak për të gjetur golin në ndeshjen me Mol Vidin, pasi është dashur një gol i Moratës në pjesën e dytë për të regjistruar suksesin në këtë sfidë.
Po ashtu, mund të përmendet dhe barazimi mes Spartakut të Moskës dhe Vilarealit, teksa një gol në fund evitoi humbjen e spanjollëve. Të njëjtin fat kanë pasur dhe spanjollët e tjerë të Seviljas, të cilët nuk e kanë ruajtur dot avantazhin ndaj Krasnodarit.
Marseja ka ngecur në Qipro ndaj Apollonit, sikundër dhe Beshiktashi është mundur nga Malmo i Egzon Binakut, me mbrojtësin kuqezi që e pa ndeshjen nga stoli.
Apollon 2 – 2 Marsejë
Bate 1 – 4 Paok
Çelsi 1 – 0 MOL Vidi
Eintraht Frankfurt 4 – 1 Lacio
Jablonec 2 – 2 Dinamo Kiev
Krasnodar 2 – 1 Sevilja
Malmo 2 – 0 Beshiktash
Rejnxhërs 3 – 1 Rapid Vjenë
Sarpsborg 3 – 1 Genk
Spartak Moskë 3 – 3 Vilareal
Standard Liezh 2 – 1 Akhisar