Uejn Runi dhe “Tre Luanët”, historia përfundoi. Sulmuesi, tashmë 31 vjeç, ka lajmëruar sot se nuk do të luajë më futboll me kombëtaren. “Trajneri Sauthgejt më mori në telefon këtë javë, për të më komunikuar grumbullimin dhe për të më pyetur a isha i gatshëm të luaja në ndeshjet e ardhshme të Anglisë. E vlerësoj gjestin e tij. Megjithatë, pas një reflektimi të gjatë, e njoftova se kam vendosur të tërhiqem nga futbolli ndërkombëtar. Është një vendim i vështirë për t’u marrë dhe e kam diskutuar me familjen time dhe trajnerin tek Evertoni, që janë personat m të afërt për mua, në lidhje me këtë vendim”, deklaroi Runi.
“Ka qenë një privilegj i madh të luaja për Anglinë, si lojtar apo kapiten. I falënderoj të gjithë mbështetësit e mi në këtë rrugëtim, tani e tutje mbetet një tifoz i zjarrtë i kombëtares. Një ndër pengjet e mia është që nuk arrita asnjë sukses madhor me kombëtaren. Një ditë ëndrra do të bëhet realitet dhe shpresoj të jem i pranishëm për ta përjetuar atë moment si tifoz”.
Runi ka luajtur 119 ndeshje dhe ka shënuar 53 gola me kombëtaren, si askush tjetër në histori, duke debutuar në vitin 2003, në moshën 17 vjeç e 111 ditë, rekord në atë kohë, që u thye më pas nga Teo Uolkot. Golin e parë me kombëtaren Runi e shënoi pa mbushur 18 vjeç dhe është një rekord i gjithë kohërave për kombëtaren angleze.