“Rumuni” Kabashi: Kurrë s’e refuzova Shqipërinë, ja ç’më bëri menaxheri!

Dinamo e Bukureshtit afroi në dhjetor Naser Alijin, ndërkohë që më parë është shpallur kampion dhe golashënues Sulejman Demollari. Një legjendë, i cili dërgoi më pas në Rumani edhe Elis Bakajn. Së fundmi aty ka firmosur një tjetër shqiptar, Elvis Kabashi.

Shumë polemika ka pasur me këtë të fundit, i cili refuzoi Shqipërinë me shpresën se do të mbronte ngjyrat e Italisë. Nga atëherë karriera e tij ka pasur një trajektore zbritëse dhe shpreson që tanimë të shpërthejë me Dinamon. Mesfushori ndërkohë është rikthyer pas në kohë dhe flet për Telesport.

“Unë nuk e kam refuzuar Kombëtaren shqiptare. Ishte menaxheri im, me të cilin kam akoma gjyqe për të mbyllur, ai që e dërgoi atë letrën në federatë. Unë mora ftesë nga Italia dhe e refuzova, për të qenë pjesë e Shqipërisë. Unë jam shqiptar, të gjithë miqtë e mi të ngushtë janë shqiptarë. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të luaj për Shqipërinë”, tregon Kabashi për gazetarin Elsion Vaso.

“Menaxherët dhe disa zgjedhje të gabuara më kanë lënë mbrapa. Kur ika nga Juventusi për herë të parë, doja të zgjidhja Empolin dhe jo Peskarën, ashtu siç donte menaxheri. Mbase do ishte më ndryshe për mua, sepse do kthehesha te klubi ku jam rritur. Tani çdo gjë ka kaluar, kam firmosur me një klub të madh si Dinamo e Bukureshtit. E dëgjova që ditët e para që këtu ka bërë histori një shqiptar si Sulejman Demollari. Babai im ka ardhur në Itali në vitet 90′ me anijet e para. Unë kam lindur këtu, por e ndjej veten shqiptar, kam gjak shqiptari”, shprehet Kabashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *