Situatë absurde ajo që po ndodh te Kukësi. Marrëdhëniet mes trajnerit Mlladen Milinkoviç dhe presidentit Safet Gjici mbeten të mira, por ndërkohë trajneri serb është në konflikt të hapur me Naim Halilin, një ndër personat më të afërt të presidentit. Halili është drejtor teknik edhe menaxher i klubit dhe ka një pozicion të rëndësishëm në krye të klubit, ndërsa sapo përfundoi ndeshja në Korçë turfulloi ndaj trajnerit, duke e bërë fajtor për humbjen, madje duke e akuzuar si të paaftë, që nuk di çfarë ndërrimesh bën, siç raportoi gazetari i Sport Ekspres nga Korça, Leonard Trebicka.
Me sa duket, ajo ngjarje ishte vetëm fillimi, sepse debatet kanë vazhduar mjaft të ashpra, aq sa flitet edhe për debate të ashpra në mbledhje. Tani Top Channel raporton se marrëdhëniet mes tyre janë aq të ndera, saqë Naim Halili ka deklaruar se mund të qëndrojë larg skuadrës deri në largimin e trajnerit Milinkoviç.