Në këtë sezon kemi të bëjmë me një rast vërtet të veçantë sa i përket Superiores. Ndryshe nga e shkuara kur të gjithë mund të parashikonin ekipin që do të triumfonte për titullin kampion, sidomos nëse flitet për 5 javë nga fundi, këtë herë është një tjetër histori.
Gati gjysma e tabelës pretendon për t’u shpallur kampioni i Shqipërisë dhe vendi i parë po ndërron “pronar” thuajse pas çdo jave. Po ku është duke u paraqitur tjetër e njëjta situatë? Në Rumani janë tre ekipe që pretendojnë për titullin kampion me Cluj, Steaua e Bukureshtit dhe Craiova që luftojnë për vendin e parë. Në Slloveni është po e njëjta panoramë që ofrohet teksa Ljubjana, Maribor dhe Mura kanë një distancë prej vetëm 3 pikësh. Matematikisht mbetet në lojë edhe Domzhale kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundi.
Por nëse do të kërkonim për “binjakun” e vërtetë të Superiores, gjendet në Armeni. Në një format me 10 skuadra ashtu si edhe në Shqipëri, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga mbyllja e kampionatit, janë 5 ekipe që pretendojnë ende për titullin kampion. Diferenca e tyre është shumë e vogël ashtu si edhe në vendin tonë duke pasur paqartësi të madhe për ekipin që do të triumfojë. /Sport Ekspres/