Rrëfimi i Vatës para Skoci-Shqipëri: vuajtjet, principet dhe… i biri

“Kam pasur një plan të qartë. Ishte një plan i pashkruar, por ishte një i tillë që kisha thellë brenda meje që kur isha një djalë i ri. Nuk është faji im që u rrita në një sistem diktatorial, por ishte faji nëse nuk bëja diçka rreth kësaj situate. Nuk ishte faji im që u rrita në varfëri, por do të ishte faji im nëse do të vdisja i varfër. 100 milionë përqind dua që të fitojë Shqipëria këtë ndeshje. Gjërat kanë ndryshuar në vendin tim, por ka vuajtje për shkak të qeverisë së dobët, sepse ti mund të bëhesh politikan, vetëm nëse je i korruptuar”, kështu e nis rrëfimin e tij Rudi Vata, ish-kapiteni i kombëtares, i cili ka ka provuar të luajë me Sëlltikun në Skoci, madje në vitin 1995 fitoi Kupën e Skocisë, duke u bërë shqiptari i parë që fitonte një kompeticion të rëndësishëm në futbollin europian.

Shkodrani komenton arritjen e bërë, ndërkohë që jo çdo gjë i shkoi mirë. Ai flet për atë që ka kaluar, eksperiencat në Gjermani dhe Japoni. Nuk flet vetëm për futboll, por edhe për pjesën jashtë që ka hasur. Normalisht nuk mund të mos flasë për Skoci-Shqipëri, që luhet të hënën. Puna si menaxher, vuajtjet dhe djali i tij janë disa nga tematikat e tjera për të cilat flet Vata në rrëfimin e bërë për gazetarin Andrew Smith“Scotsman.com”.

Kupa me Sëlltikun – “Nuk e di se çfarë do të thoshte për njerëzit në vendin tim, por e di mirë se çfarë do të thoshte për mua. Nuk e prisja që gjërat të ndodhnin aq shpejt, por unë firmosa për një nga klubet më të mëdhenj në ishull, me klubin e parë britanik që fitoi për herë të parë Champions dhe më vonë unë fitova Kupën e Skocisë me Sëlltikun. Ajo që më ndodhi mua, çfarë arrita në atë periudhë si shqiptar, ishte diçka pothuajse e pamundur.”

Skoci-Shqipëri – “Njerëzit më pyesin se si do të dalë ndeshja, por unë nuk jam magjistar. Shqipëria nuk është më e keqja dhe Skocia nuk është ekipi më i mirë. Do të fitojë ai ekip, që është më i organizuar, punon më shumë dhe bën më pak gabime.”

Periudha e vështirë – “Nuk isha në dijeni të asaj çka po ndodhte, derisa mësova gjuhën. Menaxherët vinin dhe iknin, e kuptoja që situata nuk ishte e qëndrueshme në të gjitha kuptimet. Rejnxhërs po firmosnin me lojtarë të shtrenjtë si: Laudrup dhe Gaskojn. Ata ishin dominues atë periudhë, por sot e kuptojmë mirë se si ata paguanin për ta bërë atë gjë.”

Principet e Vatës – “Unë isha serioz në gjërat që bëja, isha i disiplinuar, luaja me rregulla, e bëja atë që më kërkohej dhe punoja më fort se të gjithë. Në Gjermani ekzistonte etika, njerëzit ishin fantastikë dhe unë punoja 30% më shumë se lojtarët vendas, përndryshe pse ata duhet të luanin me një lojtar shqiptar? Në Japoni ishte akoma më e pabesueshme etika e punës. Tokio ishte një qytet me 20 milionë banorë, por me zero kriminalitet.

Si është e mundur? Sepse nuk ngjan me asnjë qytet tjetër në botë, modern, i pastër, i mrekullueshëm, njerëz që punonin nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes, njerëz që të respektonin pa masë dhe silleshin në mënyrën më të mirë të mundshme. Njoh shumë lojtarë të tjerë, të cilët gjejnë një vend për t’u rivendosur dhe qëndrojnë aty deri në fund të karrierës, sepse nuk e përballojnë përshtatjen me kultura dhe gjuhë të reja. Por, mua diçka e tillë më mban sytë hapur.”

Sakrifica – “Ti duhet të jesh i përgatitur të vuash, shoku im. Duhet të japësh më shumë se sa mendon që mund të japësh. Mua nuk më pëlqente të merrja pjesë në “party”, nuk dëshiroja të abuzoja me trupin tim dhe ende nuk e bëj diçka të tillë. Ti stërvitesh, punon dhe stërvitesh edhe më fort. Por, të rinjtë e kanë më të lehtë. Ju them djemve të mi që duhet të jepja, jo vetëm për veten time, por dhe për prindërit e mi dhe vëllain. Duhet të rregulloja vizat e tyre, udhëtimet e tyre, t’iu blija shtëpitë e tyre dhe të sigurohesha që ishin në rregull. Djemtë e mi duhet të mendojnë për veten e tyre.”

Puna si menaxher – Rudi Vata arriti marrëveshjet për transferimin e Geri O’Konor dhe Aiden MekGeidi në Rusi, ndërsa vendosi t’i japë fund kësaj pune dhe të përqendrohet te familja, mbasi një përfaqësues i tij bllokoi disa transferime drejt AEK-ut dhe Marsejës, duke kryer transferimin në Qipro për disa para më shumë.

“Diçka e tillë më theu zemrën, më shkatërroi ndjenjat edhe pse i dha fund një periudhe të suksesshme dhe kishte para të mira. Nëse ke para, bëhesh i lumtur vetëm për disa ditë. Nëse mendon që ndodhesh në klubin e gabuar, paratë, pavarësisht rëndësisë së tyre, nuk mund ta mposhtin atë që ndjen. Futbollisti vjen i pari. Dëshiroja të vendosja më të mirën e lojtarëve mbi të gjitha. Shumë agjenci futbollistësh janë biznese të shkatërruara nga njerëz, të cilët nuk kanë aspak interes për lojtarët dhe futbollin. Interesi i tyre i vetëm është sasia e parave që fitojnë.”

Djali i tij, Roko në gjurmët e të atit – “Unë nuk mendoj që ai do të bëjë gjithçka mirë, e di. Të tjerët më thonë që ai mund t’ia dalë. Sëlltik po përfiton shumë sot nga zhvillimi i lojtarëve të rinj në sistemin e tyre shkollor ‘St.Ninian’. Djali im largohet në shtatë të mëngjesit dhe kthehet në shtëpi në shtatë të mbrëmjes, por kjo nuk është ndonjë sakrificë e madhe. Ai duhet të dëshirojë të bëjë gjithçka mundet. Shikoni Kristiano Ronaldon. Ai firmosi me Juventusin në moshën 33-vjeçare për gjithë ato para, sepse ka punuar më shumë se çdo futbollist në histori. Ai vazhdon ta bëjë atë gjë, pavarësisht se ka arritur gjithçka dhe është një multi milioner.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *