Mesfushori argjentinas Rafael Soza mund të kishte ardhur në Shqipëri këtë verë, edhe pse merkatoja nuk ka përfunduar dhe deri më 31 gusht ka ende kohë. 29-vjeçari, i cili në Shqipëri është shpallur kampion me Dinamon dhe Skënderbeun, por ka luajtur edhe për Flamurtarin e Laçin, ku ka fituar kupën para dy vitesh, tashmë luan te Klub Atletiko Polisial dhe e ka nisur shkëlqyeshëm sezonin e ri, me 5 fitore në 6 ndeshje dhe me një gol vendimtar para dy ditësh, në fitoren 1-0 kundër Sentral Argentinos.
Para disa javësh për “Sport Ekspres” Soza u shpreh se ishte në bisedime me një klub në Shqipëri, pa e zbuluar emrin derisa të mbyllej gjithçka. Tani, pas interesimit të gazetës, mesfushori rrëfen me zhgënjim historinë e tij verore dhe mashtrimin që iu bë nga klubi shqiptar.
– Rafael, ishe pranë rikthimit në Superiore, herën e fundit që biseduam. Po tani, si është situata?
– Për fat të keq, nuk është konkretizuar asgjë.
– Nuk u gjet marrëveshja financiare?
– Jo, në fakt është një histori e gjatë dhe e shëmtuar.
– A mund të na e tregoni?
– Atëherë, në javët e fundit të sezonit të shkuar një klub shqiptar u interesua për mua dhe më kërkonin për sezonin e ri. Më pas, ai klub nuk u kualifikua për në kupat e Europës dhe kjo bëri që merkatoja e klubit të pezullohej e të shtyhej pa afat. I mirëkuptova, duke parë edhe mërzinë e tyre për moskualifikimin në kupat e Europës, ndërkohë që më thanë se në gusht klubi do të riniste përforcimet dhe do të bisedonin me mua, ndaj duhet të prisja pak. Kur erdhi gushti dhe u interesova, duke pyetur dikë me pozitë në klub, ai më tha se isha në planet e klubit dhe do të vija në Shqipëri, shkëmbyem edhe numrat, që të flisja me presidentin. Më pas, askush nuk më mori dhe kur e pyeta kontaktin tim, më tha se ende nuk dihej asgjë.
– A është ky klub Luftëtari dhe cili person është kontakti juaj?
– Nuk ka rëndësi, njerëzit e kuptojnë për cilin klub bëhet fjalë. Emrin e personit me pozitë pranë klubit nuk po e them, sepse nuk kam ndërmend t’i bëj keq askujt dhe as të futem në konflikt me ndokënd. Shqipëria është si shtëpia ime e dytë.
– Po më pas, çfarë ndodhi?
– I thashë personit që ishte lidhja ime me klubin se kisha një muaj pezull dhe ndërkohë kisha refuzuar dy oferta të tjera nga Europa, ngaqë më ishte thënë që të qëndroja në pritje. I kërkova një përgjigje zyrtare dhe ai më ktheu përgjigje që presidenti nuk do të marrë më lojtarë, sepse ekipi u kompletua. Ishte një tallje e pastër, një gënjeshtër e madhe, nga një zyrtar i atij klubi, që më mbajti një muaj me shpresë se do të firmosja, duke shtyrë gjithë planet e mia.
– Sipas jush, kush e ka fajin në këtë mes, sepse këto gjëra ndodhin shpesh në Shqipëri?
– Presidenti i klubit nuk është i ndershëm me futbollistët. Uroj që në të ardhmen të mos përfshihen lojtarë të tjerë me këtë president. Bisedova edhe me trajnerin e ri të atij klubi dhe më tha se do të bashkohesha me atë klub, ndërsa më pas gjithçka u anulua. Një lojë e pistë dhe e pandershme.
– E ardhmja juaj, duke qenë se sapo keni nisur kampionatin në Argjentinë?
– Jam i hapur për oferta, kam kontratë të tillë që lirohem në rast oferte nga Europa.