Rrëfimi i Peqinit, nga trofetë te pengjet: Ja karriera ime 12-vjeçare

Intervistoi: Jurgen Zela

Fundi i një karriere për një futbollist është gjithnjë në ditë që mendohet si shumë e largët, por vjen një moment që ta kushtëzon marrjen e një vendimi. Vetëm 27 vjeç, Roland Peqini zyrtarizoi “divorcin” me futbollin e luajtur, edhe pse në CV e tij ka koleksionuar eksperienca që pakkush mund t’i ketë. Mbrojtësi i lindur në Elbasan ka arritur të marrë titullin me Dinamon, të luajë në skuadrën me më shumë trofe në Shqipëri, Tiranën, të kalojë 4 ture me Kukësin, si dhe të kontribojë për skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Elbasanin. Në matematikë (edhe pse ne të sportit nuk e kemi shumë qejf), lakorja e një grafiku ka ardhur në rritje, deri në dëmtimin e parë. Më pas një rënie e lirë, e cila çoi deri në vendimin për t’u tërhequr nga futbolli. Roland Peqini e ka marrë vendim tashmë dhe e ka mbyllur me Dinamon, skuadrën tek e cila hodhi hapat e para si futbollist. Në një intervistë për “Sport Ekspres” Peqini tregon në 360 gradë karrierën e tij, uljet e ngritjet, arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi apo dhe momentet më të mira dhe më të vështira si futbollit. Nuk lë jashtë vëmendjes dhe bashkudhëtarët e tij të cilët nuk i harron. Ish-mbrojtësi zbulon dhe të ardhmen, ku e sheh veten sërish në botën e “halleve” të futbollit shqiptar.

VENDIMI I TËRHEQJES

“Ka shumë kohë që e kam menduar për ta bërë këtë gjë dhe te dini ka qenë një vendim shumë i vështirë se që kur isha i vogël dhe nisa hapat e para në futboll e mendoja sikur kishte përjetësi e nuk kishte fund por qenkam gabuar! Më dhembi shumë, por me besoni e kam lënë futbollin me shumë dëshire sepse kam nisur diçka të re dhe mendoj se e bëj me shumë pasion dhe e bëj shumë mirë.

ZGJEDHJE E MENDUAR MIRË

“E përmenda dhe po ju them e kam lënë pa e menduar fare sepse duke parë vitet e fundit në futboll unë vetëm kam dhënë e nuk kam marrë asgjë, as gjënë që është pa pagesë, respektin dhe mirënjohjen, por këtë gjë kur nuk e ke, nuk ja ushqen dot njeriu sepse mendoj është njerëzore.

FILLIMET

“Unë e kam nisur futbollin në Elbasan që në moshën 7-8 vjeç dhe mbaj mend që fëmijë e doja shumë topin dhe asgjë nuk më ndante prej tij. Në radhë të parë dua të falënderoj familjen time që gjithmonë ka qenë me mua në çdo hap që kam bërë, prindërit dhe vëllezërit e mi që duke qenë fëmija i vogël gjithmonë kanë sakrifikuar për mua që unë të isha i plotësuar me çdo gjë e mos më mungonte asgjë.

KARRIERA

“Mendoj se deri kur pësova operacionin e parë në gju, karriera ime ka qenë gjithmonë në ngritje. Karriera ime nisi te Dinamo në vitin 2007, kur isha vetëm 16 vjeç, ku kam ardhur nga Elbasani për provë dhe në atë kohë ka qene trajner Agim Canaj, që dua ta falënderoj shumë. Është një njeri korrekt dhe serioz që për mua ishte i pari që më dha një ‘ok’ për të nisur karrierën në një ambient të shkëlqyer në një ekip kampion si Dinamo. Kalova 5 vite të mrekullueshme te Dinamo, ku në këto 5 vite unë isha dhe pjesëtar i ekipeve Kombëtare te moshave deri në Kombëtaren U-21, ku unë isha kapiten i saj. Në karrierën time do kem nostalgji gjithmonë për sezonin e mrekullueshëm që kaluam me Kukësin, që në atë sezonin ishim ekipi i parë pas shumë vitesh që thyem një rekord që ishte vënë nga Flamurtari para shumë vitesh.

MOMENTET E VEÇANTA

“Siç e përmenda më sipër do veçoja vitet me Dinamon, ku në 5 vitet e para arrita të merrja 2 tituj kampion, si dhe të fitoja Superkupën, kur trajner ishte trajneri aktual i Kroacisë, Zlatko Daliç dhe si finalist i Kupës apo Superkupës në vite të ndryshme.

GABIMET

“Unë mendoj se njeriu mundohet të bëjë çdo gjë sa më mirë e nuk mendoj se kam gabuar në ndonjë gjë sepse nuk është se e kisha unë dëshirën të dëmtohesha e të operohesha dhe ky është gabimi i madh i njerëzve në vendin tone sepse mendojnë që po u dëmtove një here nuk bën më, por shkoni pak me larg dhe shikoni që futbollistë të huajë janë dëmtuar nga 4-5 muaj dhe kthehen e fitojnë të vetëm Topin e Arte apo dhe Kupën e Botës. Këtu në vendin tonë nëse dëmtohesh një herë mirë që merr shkelmin, por të japin dhe rrugën në fund e të thonë që ti nuk bën.

PENDESA

“Pendimi im i vetëm është që pse nuk mora mundimin të largohesha nga ky vend e të vazhdoja karrierën jashtë Shqipërisë. Në disa vite të ndryshme kam pasur oferta gati për të firmosur dhe asnjëherë nuk shkova dhe kjo për fajin tim.

POSTIMI ME FJALËN “PADREJTËSI”

Jam shprehur në atë mënyrë dhe do ta bëj sërish për t’i treguar shumë njerëzve që mos t’i vrasin të rinjtë e sotëm, por t’i japin çfarë meritojnë. E them me shpirt që në vitet e fundit jam vrarë më shumë nga njerëzit e nga padrejtësitë që i japin futbollistëve që e meritojnë të luajnë futboll, i vrasin ëndrrën dhe dëshirën për të luajtur dhe kjo ndodh sepse kanë interesa të tjera, por mendoj se është krim që t’i japësh kënaqësi dikujt që nuk e meriton dhe të vrasësh dikë që e bën më së miri atë gjë!

PENGU

“Pengu im i vetëm është Dinamo, ka shumë vite që endet ne Kategorinë e Parë dhe askush s’po bën dot asgjë për ta çuar aty ku e meriton. Luajta dhe në Kategorinë e parë për Dinamon dhe dëshiroja ta ndihmoja e të bëja më shumë, por ajo që doja unë me atë që donin apo merrnin njerëzit që po e drejtojnë nuk ishte e njëjtë dhe vendosa më mirë të tërhiqem.

TRAJNERËT

“E kam nisur karrierën me trajnerin Agim Canaj që ishte njeriu i parë që më drejtoi për të filluar shkëlqyeshëm futbollin dhe në atë vit e mbyllëm kampionatin me një nga trajnerët me të mirë shqiptar, Ilir Dajën, ku në atë vit unë si i ri edhe kam përfituar shumë nga profesor Iliri. Atë vit u shpallëm kampion Shqipërie. Dua të veçoj që trajneri i huaj më i mirë që ka ardhur në Shqipëri ka qenë Zlatko Daliç, me të cilin kam pasur fatin të stërvitem prej tij e të mësohem si profesionist. Trajneri dhe njeriu që unë kam shumë përzemërt është Armando Cungu, një njeri serioz, korrekt dhe i ndershëm.

E ARDHMJA

“Sigurisht që e shoh veten në futboll në të ardhmen, përveç punës time të re në palestrën ‘Puma Fit Club’ ku unë kam marrë përsipër pjesën e sportit ‘CrossFit’ bashke me një ish-atlete që ka mbajtur rekord kombëtar për shumë vite, Rudina Xhaja, të cilën dua ta falënderoj shumë se ka qenë personi që mua më ka drejtuar në këto rrugë që e mendoj shumë të suksesshme. Siç po thosha përveç punës në palestër unë këto kohë kam pasur bashkëpunim me Akademinë 2AP Dinamo, akademi e hapur nga dy futbollistë kampion në gjithë karrierën e tyre si Artion Poçi e Arjan Pisha. Tashmë unë me Artion Poçin dhe Nertil Ferrajn po edukojmë dhe po stërvitim fëmijë për të ardhmen.

MESAZHI

“Dua t’i falënderoj të gjithë për çdo gjë që kanë bërë për mua. Falënderoj çdo shok skuadre dhe çdo trajner që më ka stërvitur. Nuk mund të lë pa përmendur pikën time të dobët, tifozët e çdo ekipi e të çdo fanelle që kam veshur, të madh e të vogël. Për mua kënaqësia ishte kur lumturoheshin tifozët. Pasuria me e madhe është kur i dhuron njerëzve kënaqësi e buzëqeshje”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *