Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka lëshuar një intervistë të gjatë për The Player Tribune, ku është rrëfyer për Juventusin, finalen e Champions League humbur ndaj Realit dhe e shkuara te Milani.
MANXHUKIÇ – “Kur pashë gjuajtjen e Manxhukiçit kundër Realit, që po përfundonte në rrjetë me një trajektore fantastike, mendova: ” Uau, ndoshta ndoshta…”. Pastaj, kur topi shkoi në rrjetë, mendova: “OK, ndoshta është dita e duhur”. Ai gol ishte i papërsëritshëm, tregon duferencën që çon një klub në finalen e Champions League”.
PJESA E DYTË NË KARDIF – “Nuk mund të jesh thjesht i madh, duhet té jesh special dhe ne kemi lojtarë specialë, por fakeqësisht edhe Reali ka. Pjesa e dytë më bëri të kuptoj se nuk kishim mjetet ose instrumentet që na duheshin. Dy lojtarë me zor qëndronin në këmbë nga dëmtimet dhe Reali luajti një ndeshje inteligjente, mjaft të qetë dhe me vetëdije të plotë në forcën e vet”.
SKUADRA MË E MIRË – “Për të shkuar në finale duhet talent dhe fat, për të fituar duhet të jesh skuadra më e mirë. Atë natë, pas Realit, e lashë fushën duke e ditur se nuk ishim skuadra më e mirë. Gjithçka ishte shumë e thjeshtë”.
DORËHEQJA E MENDUAR – ” Në mbrëmjen pas Kardifit isha në shtëpi dhe pyeta veten a ishte fundi i rrugëtimit tim, a ishte ai maksimumi ku mund ta çoja skuadrën. Mendova se ishte faqja e fundit e historisë sime me Juventusin dhe një pjesë e imja më shtynte të paraqitesha në selinë e klubit të hënën pasardhëse dhe të jepja dorëheqjen. Më pas mendova pse u bëra trajner: që i vogël doja të mos studioja, por të mësoja të tjerët. Edhe licencën e trajnerit e mora për 15 ditë në Koverçano, pasi nuk kisha durim të ndiqja kursin normal 1-mujor. Mendova se kam ende shumë për të dhënë e për t’i mësuar kësaj skuadre, ndaj vendosa të qëndroj”.
MODULET – “Gazetarët merren shumë me module, skema, numra. Më pyesin shpesh si luajmë, por moduli nuk ka vlerë, për mua kanë vlerë forma, instikti e disiplina, sidomos instiktet. Si trajner, kam mësuar më shumë nga gabimet, sesa nga sukseset”.
DITA MË E RËNDËSISHME, LARGIMI NGA MILANI – “Kur mendoj për ditën më të rëndësishme, nuk mendoj për trofe e finalet në Champions. Mendoj për momentin kur hyra në zyrat e Milanit dhe më pushuan nga puna, edhe pse nuk ishte surprizë, e dija që do më pushonin. Më respektuan që ma thanë, por kjo nuk ma largonte dëshpërimin. Dështova, në zemër e vuajta shumë, edhe pse pushimi nga puna është diçka normale, sidomos në futboll”.
FINALET NË CHAMPIONS – “Kur mbërrita te Juventusi, para 3 vitesh, nuk bëra shumë ndryshime fillimisht, pasi klubi vinte nga shumë suksese me Konten. Pak nga pak, edhe me afrimin e lojtarëve të rinj, skuadrs nisi të bëhej e imja, më të fortë në sulm dhe më fleksibël në mbrojtje. Arritëm në finalen e Ligës së Kampioneve, diçka unike, si në opera. Humbëm ndaj Barcelonës dhe nuk isha i lumtur, por mësova shumë nga humbja. Këtë vit mendoja se kishim punuar shumë për të mbushur hendekun dhe se ishim gati për trofeun. Me sa duket, nuk ishte ende ashtu. Tani po largojmë trishtimin e disfatës ndaj Realit dhe do të punojmë edhe më shumë, për të triumfuar më në fund në Champions League”.
SIMBOLET – “Për mua, Bufon dhe Dibala janë simbolet e kësaj skuadre. Bufon është gati për Master para Botërorit, për ta mbyllur me diçka të madhe, Dibala është një djalosh brilant, i cili tashmë ka mbaruar filloren”.