U luajtën edhe dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Kupës së Kroacisë dhe në fazën gjysmëfinale do të jenë dy shqiptarë. Mbrojtësi Amir Rrahmani festoi pas fitores së Dinamos së Zagrebit. Skuadra kryeqytetase mundi 1-0 ekipin e Slaven Belupo.
Një ditë më parë ishte Inter Zapreshiç që u kualifikua dhe Herdi Prenga ishte në fushë për 90 minuta. Lokomotiva e Zagrebit u eliminua dhe Myrto Uzuni që në pjesën e parë e la skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Sot u eliminua një tjetër lojtar i kombëtares nga Kupa e Kroacisë. Ardian Ismajli ishte në fushë nga minuta e parë për Hajduk Split, që u mund 2-1 nga Osijek. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 50-të të takimit. Një sezon jo i mirë për Hajdukun, që edhe në kampionat renditet në vendin e gjashtë dhe është larg pritshmërive.