Hamdi Salihi vazhdon të shënojë gola në Austri. Te Vjener Nojshdat realizoi edhe këtë fundjavë, ku pavarësisht moshës 34-vjeçare mbetet një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Një bomber nga ata të rallët në Shqipëri, që për “Zona Gol” në “SuperSport” tregoi se po përgatitet edhe për karrierën e re në Austri.
“E kam ndjekur thuajse çdo fundjavë kampionatin dhe është e vërtetë që ka mungesë golash, krahasuar me vitet e kaluara. Nuk mungojnë vetëm ata që finalizojnë, por edhe lojtarët kreativë. Lojtari me më tepër asist është në nivelet pesë apo gjashtë, shifër e cila është mjaft e ulët. Çështja është disi më e gjërë dhe nuk mund të kufizohet vetëm te sulmuesit”.
“Pas periudhës që kalova në shqipëri, e kisha vendosur prej kohësh të kthehesha në Vjenë, sepse kam edhe shtëpinë këtu. Fëmijët vazhdonin kopeshtin, erdhi koha të sakrifikoja për famijen dhe jo për veten. Është patjetër një zgjedhje familjare dhe duke qenë se jam në fundin e karrierës, nuk ia vlen të shkoja diku tjetër. Në këtë moshë, duhet të kesh shumë motivim për tu stërvitur dhe për të qenë në 100 për qind. Për të luajtur te Rapidi apo Austria e Vjenës ishte e vështirë për të luajtur, prej vetë moshës. Por, ky ekip në kategorinë e dytë austriake ishte zgjedhja më e mirë”.
“te ky klub kam shumë opsione për të vazhduar karrierën edhe pas futbollit. Besoj se ky do të jetë viti i fundit, madje në disa senca të stërvitjes së ekipit jam jo zyrtarisht edhe pjesë e stafit. Besoj se vitin tjetër do të jem pjesë e stafit teknik. Ndoshta që nga janari mund të jem edhe zyrtarisht pjesë e stafit, por kjo varet nga objektivat. Nëse jemi në zonën e lartë të renditjes, për të synuar ngjitjen në Superligë, do të përqendrohem te pjesa e lojtarit. Nëse do të jemi larg, atëherë do të nis detyrën e re”.
“Kam shënuar 300 gola në karrierë? Nuk di ta konfirmoj ekzaktësisht, por kur ta mbyll karrierën do të nis të kërkoj një shifër të saktë për golat që kam shënuar. Nuk ka shënuar vetëm me Panioniosin në Greqi. Ishte ekipi i parë, drejt të cilit u largova nga Vllaznia, nga Shkodra. Eksperienca nuk ishte e mirë dhe për fat ajo aventurë nuk zgjati shumë”.
“Goli më i bukur? Ndoshta goli që shënova në Norvegji me Kombëtaren. Zgjedh atë dhe jo golat me roveshatë, sepse kam shënuar shumë të tillë. Megjithatë, goli me roveshatë si lojtar i Skënderbeut në portën e Partizanit, ishte ndër golat më të bukur që kam realizuar”.