Mesfushori Odise Roshi, autori i golit që zhbllokoi ndeshjen kundër Lihtenshtejnit, ka dalë sot para gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës së radhës në Maqedoni. Fieraku është ndalur te fitorja e djeshme, por edhe te sfida e sikletshme në Strumica.
Fitorja e djeshme: “Duke u ndalur te ndeshja e djeshme, u pa që nuk ishte një ndeshje e lehtë, ndryshe nga sa mendonin të gjithë. Nuk ka më rivalë të lehtë, futbolli i tillë është tani, rivali u mbroj fort. Krijuam disa raste në pjesën e parë, por u përmirësuam në pjesën e dytë dhe gjetëm golat.
Forma fizike – “Kam pasur probleme në gju, ndaj kam luajtur pak, por tani jam shumë mirë.
Strumica – “E mbaj mend, kemi luajtur para 5-6 vitesh. Ka qenë një atmosferë jo e mirë, ka pasur thirrje raciste, por shpresoj që këtë radhë gjithçka të shkojë mirë.
Maqedonia – “Do të jetë një ndeshje shumë më agresive se ajo e djeshmja, Maqedonia ka lojtarë mjaft të mirë, disa prej tyre i njoh. Maqedonia ka marrë hov pas fitores në Izrael, do të jetë shumë e vështirë. Barazim apo fitore? Natyrisht, në futboll synim është gjithmonë fitorja, por në ndeshje të tilla edhe barazimi nuk është keq. Do të japim gjithçka, pastaj të shohim.
Ndryshimi mes De Biazit e Panuçit – “Për lojën, më pëlqen loja e të dyve, luajnë lojën nga krahët, që për mua është shumë e rëndësishme. De Biazi ndoshta është më pak liberal në lojë.
Balaj – “Njihem dhe luajmë bashkë prej shumë vitesh, nuk mund të them sa i mungon kombëtares, sepse jemi edhe miq. Shpresoj të riaftësohet sa më shpejt nga dëmtimi në gju dhe të bashkohet me ne”.