Xhastin Klajvert është një hap larg transferimit te Roma. Mediat në Itali raportojnë se klubi verdhekuq ka gjetur marrëveshjen me Ajaksin, për 20 milionë euro në dorë dhe 5 milionë bonus, ndërsa për talentin holandez është gati një kontratë 5-vjeçare me 2 milionë euro në sezon (marrëveshja me agjentin Mino Raiola është arritur me kohë dhe ky i fundit do të marrë 4 milionë euro, sepse zotëron 20% të kartonit të Klajvertit). Ajaksi është i detyruar ta shesë, sepse Klajvert hyn në vitin e fundit të kontratës dhe oferta e Romës është e shkëlqyer, me verdhekuqtë që kanë ofruar kaq shumë për faktin se në garë ishin edhe disa klube angleze.
Në këtë mënyrë, Roma po bëhet gjithnjë e më shumë holandeze, sepse aty janë edhe mbrojtësi Karsdorp dhe mesfushori Strotman, ndërkohë që drejtori sportiv verdhekuq Monçi po bisedon me Ajaksin edhe për një tjetër lojtar, mesfushorin maroken Hakim Zijesh (34 ndeshje e 9 gola në kampionatin e fundit).
Klajvert luan si sulmues i krahut të majtë zakonisht dhe është në sezonin e dytë si pjesë e ekipit të parë të Ajaksit. I biri i të famshmit Patrik është kthyer në një pikë kyçe gjatë sezonit të fundit, me 30 ndeshje e 10 gola në Eredivisie.
Roma po tregohet shumë aktive në treg dhe po investon fuqishëm te talentet, sepse ka blerë ditët e fundit edhe sulmuesin Çoriç nga Dinamo e Zagrebit dhe mesfushorin Kristante nga Atalanta, ndërkohë që falas është marrë mbrojtësi i fuqishëm Ivan Markano nga Porto.