Një vit më parë: Barcelona-PSG, përmbysje për histori, nga ato që nuk harrohen kurrë. E bëri Barcelona, që i shkatërroi çdo ëndërr PSG-së në një natë të çmendur, por bota është rrumbullakët, çdo gjë përsëritet.
Sot e pati radhën Barcelona të shijonte hidhërimin e madh të një eliminimi të bujshëm, të pabesueshëm. Shkoi në Romë me avantazhin e 3 golave, sepse fitoi 4-1 në Spanjë me dy autogola të Romës, por aty ndodhi e pabesueshmja: Roma fitoi 3-0!
Një paraqitje ëndrrash, që nuk e kishim parë kurrë nga Roma, skuadër që nuk është se Champions League e njeh mirë, ndërkohë që Barcelona u rrënua nën goditjet e gladiatorëve verdhekuqë.
E nisi boshnjaku Xheko që në minutën e gjashtë, e vazhdoi De Rosi nga pika e bardhë në minutën e 58-të dhe greku Manolas nguli “shpatën” vendimtare 8 minuta para mbylljes.
MAGJIKE!