Roma triumfon në shtesë, Peroti bëhet qesharak

0

Në atë që mund të ishte një mbrëmje e mallkuar dhe që do të shuante, në një farë mënyre shpresat e Romës për të synuar titullin, ka ardhur një gol që ka peshën e 3 pikëve dhe jo vetëm, sepse sfida e radhës do të jetë përballë Juventusit të Alegrit dhe mund të jetë mëse deçizive. Në minutën e 95-të të takimit, përballë Kaljarit, ishte Federiko Facio ai që gjeti rrjetën deçizive dhe, pasi u konsultua edhe me VAR-in, pra teknologjinë, arbitri akordoi golin, duke mbajtur pezull frymën e tifozëve në “Olimpico”, në atë që ishte një ndeshje ndër më të vuajturat. Në fakt, e vuajtur u bë sidomos pasi Diego Perroti gaboi një penallti në fillim të pjesës së dytë, kur me një gjest që befasoi të gjithë (duke ecur) i ra shumë lehtë topit dhe për portierin ishte një lojë fëmijësh ta neutralizonte.

Edhe pse, fati këtë herë ishte verdhekuq, pasi Farias, 12 minuta nga fundi, shpërdoroi një rast të mirë për miqtë sardë, teksa dëmtimi i talentit Barrela prishi disi ekuilibrat e ishullorëve. E megjithatë, ndeshja do të mbahet mend për VAR dhe për faktin se pikërisht Xheko mori të verdhë për simulim pas ndërhyrjes së portierit Kranjo dhe, më pas, pas konsultës me ekranin dhe imazhet replay, erdhi sinjalizimi për 11-të metërsh dhe iu hoq kartoni Xhekos. Për Romën fitore që e ngjit në kuotën e 38 pikëve, me një ndeshje më pak që, në rast se Juventusi do të fitojë sot, mund të kthehet sigurisht në një asist për verdhekuqtë, duke qenë se kanë përballjen direkte me “Zonjën” javën tjetër. Megjithatë, goli i Facios, me një prekje të dyshimtë me dorë, do të hapë shumë polemika.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.