Rivaliteti Shkumbini-Devolli: Bano sfidon, Nica e paralajmëron!

Kategoria e Dytë i ka mbyllur 22 javë kampionat dhe kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi, në Grupin B ka një rivalitet të plotë mes Shkumbinit e Devollit për vendin e parë. Peqinasit, të drejtuar nga Artan Bano, kryesojnë në kuotën e 57 pikëve, ndërsa Devolli i Stavri Nicës ka një pikë më pak.

Vendi i parë hyn direkt në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, kurse vendi i dytë luan “play-off” me skuadrën që do të renditet e parafundit në Kategorinë e Parë, Grupi A. Për SportEkspres.com, dy teknikët, Bano e Nica kanë dhënë opinionet e tyre për garën.

“Shkumbini është në një situatë shumë të mirë, sa i përket vazhdimësisë. Fitorja në Maliq na jep më shumë motiv që ta vazhdojmë këtë luftë të vërtetë sportive për vendin e parë. Ndeshjet do i marrim një e nga një deri në fund, të gjitha vetëm për tri pikë”, është shprehur Artan Bano, trajneri i Shkumbinit.

Stavri Nica ka një tjetër këndvështrim të këtij realiteti në kreun e grupit: “Jemi në ndjekje të Shkumbinit dhe këtë e kemi merituar. Ne luftojmë të marrim kreun dhe do t’ia arrijmë. Pas fitores me Albpetrolin, ku e them me bindje se ishte një skuadër shumë e mirë, Devolli e sheh më pranë kreun. Ne do të jemi rivalë deri në fund, nuk do lëshojmë në asnjë ndeshje”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *