Pas një udhëtimi që ka zgjatur rreth 12 orë, San Zhulia është kthyer në Andorra, pas ndeshjes së vajtjes kundër Skënderbeut, humbur 1-0 në Korçë.
13 ndeshje në historinë e vet në Europa League, vetëm një barazim ndaj Çukariçkit serb dhe asnjë gol i shënuar, por San Zhulia ka të drejtë të buzëqeshë, pasi në transfertën e shtatë evropiane theu një tabu: për herë të parë nuk pëson dy gola e lart në një ndeshje.
“Kthehemi në Andorrë, pas 12 orësh udhëtim. Ëndrra është gjallë, forca San Zhulia”, shkruan klubi nga Andorra na faqen e vet në Facebook, ndërkohë që trajneri Luis Blanko dje zbuloi diçka interesante, San Zhulia do ta kryejë stërvitjen e radhës të hënën, disa ditë pas ndeshjes.
“Besoj se kemi 35% shanse për të kaluar më tej. Mund të kishim edhe më shumë, por Skënderbeu nga sot do të mendojë për ndeshjen, kurse ne do të kthehemi në punën e parë që bëjmë. Me këtë dua të them se Skënderbeu do të stërvitet edhe ditën pas ndeshjes, ndërkohë që ne jo vetëm që do të udhëtojmë shumë gjatë, por edhe pas mbërritjes lojtarët do të punojnë. Të hënën e ardhshme do të zhvillojmë seancën e parë stërvitore. Gjithsesi, do ta provojmë.”