I kërkuar me ngulm nga Çelsi, por i detyruar të mos lëvizë, prej klauzolës në kontratën e largimit të trajnerit Mauricio Sarri, që e detyronte të mos blejë më lojtarë nga Napoli. Edhe pse u përfol për bisedime në fazë të avancuar për rinovimin e kontratës, e ardhmja e Elseid Hysajt mbetet ende një mister.
Mario Xhufredi, menaxheri i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare u takua me drejtuesit e Napolit, por pa arritur që të mbyllnin menjëherë marrëveshjen. Përfaqësuesi i shkodranit kërkonte nga klubi përmirësimin e kushteve ekonomike, por mbi të gjitha heqjen e klauzolës me vlerë 50 milionë euro për prishjen e kontratës.
Nga ana e tyre, te Napoli synojnë ta “blindojnë” 24-vjeçarin me një kontratë afatgjatë, për të siguruar shërbimet e Hysajt deri në vitin 2023. Sipas marrëveshjes së re, paga e Hysajt, që aktualisht është në kuotën 2 milionë euro në sezon, do të rritet në 2,5 milionë euro. Edhe pse dëshira duket për të vazhduar bashkëpunimin, bisedimet për rinovimin janë shtyrë për në muajin shtator.
“Me drejtorin sportiv Xhuntoli biseduam për gjithçka, por nuk kemi përse të nxitohemi. Nëse Napoli dëshiron që Elseidi të qëndrojë më gjatë, ne jemi të hapur të diskutojmë. Hysaj dëshiron të tregojë se është një mbrojtës i fort edhe pa trajnerin Sarri dhe se di të luajë në sulm”, tha menaxheri i shqiptarit, Mario Xhufredi.