Rinis grumbullimi, Jonuzi bashkohet me grupin

0

Bardhezinjtë u janë rikthyer përgatitjeve, ndërkohë që mesfushori kuksian ka lënë “infermierinë”

Laçi i është kthyer përgatitjeve dhe grumbullimit. Skuadra kurbinase është vënë nën urdhrat e trajnerit Stavri Nica ditën e djeshme, teksa është punuar vetëm pasdite, ndërsa ma pas ekipi është akomoduar në hotel, për të vijuar sërish përgatitjet me dy seanca nga sot në mëngjes. Nesër është programuar miqësorja e tetë me skuadrën e Ilirisë në Fushë-Krujë, ndërkohë që stafi teknik pret plotësimin e grupit, pasi nga Brazili do të vijë mbrojtësi Ademir Souza, ndërsa nga Mozambiku sulmuesi Rexhinaldo. Tashmë synimet në merkato kanë ndryshuar dhe po kërkohet një qendërmbrojtës e një mesfushor qendre, pasi me largimin e Vucajt duhet gjetur një organizator. Drejtuesit po punojnë dhe shumë shpejt do të konkretizohen marrëveshjet për të plotësuar skuadrën për sezonin e ri. Deri më tani ka pasur disa afrime, kryesisht lojtarë të rinj, ndërkohë që tani po tentohet për lojtarë të afirmuar, gjë e nevojshme për skuadrën, sikurse edhe e ka shprehur edhe vetë trajneri Nica.

JONUZI
Gjatë fazës përgatitore Laçi është përballur edhe me probleme dëmtimesh dhe i pari që e pësoi ishte mesfushori Regi Lushkja. Kavajasi ka pasur një problem në gju dhe prej më dy javësh ka nisur përgatitjet, por ende nuk është bashkuar me grupin, gjë që pritet të ndodhë së shpejti. Veç tij edhe Vatnikaj ka pësuar një dëmtim në kavilje, ndërsa lajmi i mirë është rikthimi në stërvitje i Fjoart Jonuzit. Kuksiani i Laçit ka pasur një problem në këmbë, gjë që e ka penguar të stërvitet javën e fundit, por tashmë ai e ka kaluar atë dhe është vënë nën urdhrat e trajneri Nica.  

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.