Kukësi arriti të fitonte pa probleme kundër Kastriotit dhe përfitoi nga ndalesa e Teutës dhe Partizanit për të dalë në vebdin e dytë dhe për të shkurtuar diferencën me kreun. Stivi Frashëri ka folur pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, duke treguar vështirësitë e një ndeshje si kjo e sotmja.
Gardiani i verilindorëve ndalet dhe tek skemat taktike, lufta për titullin dhe në fund një koment për vështirësitë e hasura më parë në karrierë.
MUNGESA E TIFOZËVE – “Ndihem mirë që ndihmova ekipin në një moment të vështirë. Jemi një grup i konsoliduar. Ndeshja pa spektatorë sjell që lojtarët ndonjëherë janë pasivë. Nuk më kujtohet rasti fiks, por problemi është se duhet të fokusohemi më shumë dhe të mos kemi panik e probleme në ndeshje të tilla. Nëse kundërshtari shënonte, do bëhej më e vështirë.”
TAKTIKA – “Moduli luan rolin e vet. Erdhën lojtarë të rinj që donin kohë për adoptim. Jemi përshtatur me skemën dhe shokët ndihen mirë në pozicionet ku luajnë.”
TITULLI – “Vendi i parë? Shpresojmë që në fazë në tretë dhe të katërt të shprehemi më mirë dhe të shpallemi kampionë.”
“Revansh për opinionet? Shpresoj të jetë. Ka disa ekipe ku portieri apo lojtarët nuk përshtaten. Te Tirana ndoshta nuk dhashë atë që prisnin. Ia lë kohës ta shohin të gjithë kush është Frashëri i vërtetë dhe cilat janë cilësitë e mia.”