Lukas Bilja u transferua sezonin e kaluar nga Lacio te Milan. Pas një viti të parë mbushur me dëmtime dhe paraqitje jo në nivelin e kërkuar, mesfushori argjentinas është rikthyer në formë dhe po jep maksimumin në mesfushën e kuqezinjve.
32-vjeçari ka folur për “Sky Sport”, ku tregon situatën e ekipit të Milanit dhe atmosferën e derbit të qytetit. Bilja falënderon trajnerin Gatuzo për besimin e dhënë dhe është gati për të zhvilluar një sezon pozitiv me ekipin.
MOMENTI – “Po kalojmë një moment të mirë. Kemi një objektiv të qartë dhe e dimë që duhet të bëjmë mirë për ta arritur. Nëse niveli rritet të gjithë japim më shumë. Ekipi është në formë të mirë. Sezonin e kaluar vuajta për shkaqe të ndryshme. Nuk kërkoj alibi, ndërsa këtë vit isha gati për ‘hakmarrje’. I falënderoj të gjithë që më dhanë një tjetër mundësi, në një ekip tjetër ndoshta do të më largonin. Falënderoj trajnerin dhe stafin e tij. Tani ndihem më i qetë, ndihem si në shtëpi, e njoh ambientin dhe pak nga pak po arrij të shfaq cilësitë e mia.”
NDRYSHIMI PAS NDESHJES ME KALJARIN – “Sipas meje gjëja më e rëndësishme ishte të hiqnim dorë nga alibitë dhe mos kërkimi i fajtorëve. Kualiteti është, por duhet të përmirësohemi. E kemi kuptuar që jemi në që i bëjmë dëm vetes. Trajneri punon shumë në këtë aspekt.”
ÇFARË I MUNGON MILANIT – “Diçka ka ndryshuar në ditët e fundit, por akoma mungon diçka. Jemi afër dhe e rëndësishme është të dimë të rritemi. Në disa ndeshje nuk kemi ditur të vuajmë. Nuk duhen shënuar çdo ndeshje 3-4 gola për të fituar. Duhet të jemi kompaktë.”
DERBI – “Klima e derbit ndihej që para ndeshje me Kievon, por duhet ta fitonim atë ndeshje. Kemi patur një javë për të punuar me qetësi dhe që nga e hëna fillon një fazë vendimtare e sezonit tonë. Derbi mbetet një ndeshje e veçantë. Jemi dy ekipe të forta dhe me histori. Derbit duhen fituar. Ata janë të fortë dhe në formë, por kemi besim shumë te vetja.”
GATUZO – “E respektoj shumë. Fjala respekt ka një rëndësi të madhe për të. E falënderoj atë dhe stafin e tij. Nëse ndodhem këtu është vetëm prej besimit të Gatuzos. Kam luajtur dhe kundër tij, ndërsa është një kënaqësi ta kem si trajner. Ai arrin të marrë më të mirën nga lojtarët dhe nuk ke shanse për t’u çlodhur asnjë sekondë.”
MALDINI-LEONARDO – “Një emocion i madh t’i takosh. Me trajnerin jemi mësuar, ndërsa me ata të dy ndonjëherë ndihem i turpëruar. Para disa javësh i kërkova trajnerit të bënim një foto dhe më dërgoi në sallën e kupave.”
HIGUAIN – “Gjëja e parë që prisja ishte që Gonzalo të ndihej mirë që në fillim, sepse e njoh mirë dhe e di sa të nevojshme e kishte. E meritonte gjithë këtë pas zhgënjimit në Botëror. Kur e pashë se si e priti skuadra, e kuptova që do të bënte mirë. Ai është një lider. Kam njohur një tjetër Higuain, ndërsa ky i sotmi është një tjetër person. I ndihmon shumë lojtarët, sidomos të rinjtë.”
SUSO – “Higuain tha të vërtetën, kur u shpreh se dëshironte të luante me Suson. Ma thoshte shpeshherë në kombëtare. Suso ka rigjetur kombëtaren dhe jemi të lumtur për të. Shpresojmë që të rritet akoma. Do të bëjë gjëra të rëndësishme për Milanin.”