Matia Kaldara u shkëmbye verën e vitit të kaluar me Leonardo Bonuçin, duke u konsideruar si një nga goditjet më të bujshme të Milani në merkato. Gjithsesi, aventura e mbrojtësit nuk nisi mirë, pasi pësoi një dëmtim që e ka lënë jashtë fushave për më shumë se 3 muaj.
Së fundmi, Kaldara ka folur për kanalin zyrtar të Milanit, ku ka prekur disa tema. Italiani ka folur për rikthimin e tij, ekipin, trajnerin Gatuzo, si dhe fenomenin Kristof Piatek.
DËMTIMI – “Ishte një periudhë e vështirë, ndoshta më e vështira e karrierës time, pasi nuk kisha qëndruar ndonjëherë kaq shumë jashtë fushës. Mbi të gjitha, më mungonin shokët e skuadrës, pasi në grup ka gjithmonë atmosferë të mirë. Më në fund periudhës së riaftësimit po i vjen fundi dhe shumë shpejt do të jem gati për të ndihmuar ekipin. Muajin e fundit kam punuar intensivisht dhe trupi më është përgjigjur mirë. Jam i lumtur dhe mbetet vetëm pak kohë për t’u rikthyer”.
GATUZO – “Trajneri përfshihet me ne çdo ditë në stërvitje. Bën shaka dhe është i aftë të bashkojë të gjithë grupin. Kjo gjë tregon forcën që ai ka. Kam marrë disa shpulla nga trajneri, por gjithnjë më pyet se si jam dhe është gjithmonë aty për mua.”
EKIPI – “Të shohësh ndeshjet, edhe pse nga jashtë fushe, të ndihmon që të studiosh lojën dhe të orientohesh dhe mua personalisht më ka ndihmuar shumë diçka e tillë. Mendoj se në fillim të sezonit po pësonim gola edhe prej fatit të keq, sepse gjithmonë kemi punuar shumë në fazën defensive dhe e dija që kjo punë do të shpërblehej herët apo vonë. Jam i lumtur që kohët e fundit kemi treguar që jemi të bashkuar dhe të kompaktë, jo vetëm në mbrojtje por edhe në mesfushë e sulm. Shpresoj të vazhdojmë kështu.”
PIATEK – “Është një sulmues që jeton për të shënuar. I kam parë të gjitha ndeshjet dhe e mban ekipin shumë lart në fushë. Është i uritur dhe ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të shënuar dhe për të bërë mirë. Këtë gjë e tregon dhe në stërvitje. Një sulmues i nivelit të Piatek të bën të përmirësohesh. Mjafton të shohësh se çfarë bëri në Bergamo. Nuk e di se si, por shënoi gola fantastikë. Jemi me fat që e kemi në ekip.
“Jemi të qetë për momentin. Na duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. E kemi treguar që e meritojmë pozicionin ku jemi. Do provojmë të fitojmë çdo ndeshje dhe të arrijmë objektivat tona.