Rikthehet Superiorja, sa shumë ndeshje delikate!

E premtja rikthen ndeshjet në Superiore. Në Vlorë luhet një takim mjaft interesant, por edhe i rëndësishëm. Partizani do tentojë të ruajë kreun dhe për këtë do përballet me një Flamurtar të vendosur për të marrë maksimumin, pasi në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë.

Të shtunën Tirana luan një tjetër ndeshje delikate. Bardheblutë në gjashtë ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm dy pikë, ndërkohë që nuk do të kenë as mbështetjen e publikut në një përballje si kjo që luajnë me Skënderbeun. Edhe për korçarët kjo ndeshje do të jetë e sikletshme. Në fushën e tyre Tirana u hapi probleme.

Teuta-Luftëtari është një ndeshje e gjitha për t’u parë. Durrsakët kthehen në shtëpi, aty ku përballja e fundit mes këtyre dy ekipeve është mbyllur me fitoren e gjirokastriteve. Trajneri Shkëmbi e di se nuk do të jetë aspak e lehtë kundër bluzinjve të Mezanit.

Të dielën Laçi pret Kastriotin në shtëpi dhe kjo duket një ndeshje e lehtë në letër. Por kurbinasit nuk harrojnë se në Fushë-Krujë u ndalën 1-1, madje ishin në humbje deri në minutën e 89-të. Gjithashtu kundërshtari ka një trajner si Nica dhe herën e fundit mposhtën Kamzën 3-0.

Takim mjaft interesant edhe Kamza-Kukësi. Vendasve u duhen pikë, debuton trajneri Ernest Gjoka. Ky i fundit e ndaloi edhe vjet Kukësin me Vllazninë dhe tanimë do kërkojë të marrë maksimumin. Nga ana tjetër për verilindorët çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte dështim dhe do t’i largonte edhe më shumë nga objektivi titull.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14

E premte, më 23 nëntor 2018
Ora 18:00 | Flamurtari-Partizani

E shtunë, më 24 nëntor 2018
Ora 14:00 | Tirana-Skënderbeu
Ora 17:00 | Teuta-Luftëtari

E diel, më 25 nëntor 2018
Ora 14:00 | Kamza-Kukësi
Ora 14:00 | Laçi-Kastrioti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *