Pas një jave pushim, Superiorja do të rikthehet në fundjavë. Do të luhet java e 25-të e kampionatit dhe risia është se nga tani zhvillohen vetëm katër përballje, situatë e krijuar pas përjashtimit të Kamzës nga kampionati. Duke qenë se në mesjavë ka Kupë, do të luhet Superiorja dy ditë në fundjavë.
Java e shkuar, që nuk u luajt për shkak të bojkotit të arbitrave, është spostuar për fundjavën pasuese, duke bërë që të ndryshojë gjithë kalendari i Kategorisë Superiore, me ndeshjet që do të spostohen gradualisht, nga java në javë, edhe pse FSHF nuk ka publikuar asnjë informacion dhe tashmë edhe faqja zyrtare e Federatës nuk funksionon më.
Gjithçka nis me përballjen Skënderbeu-Kukësi, që zhvillohet të shtunën në Korçë prej orës 17:00. Të dielën dy sfida luhen në orën 14:00. Në Laç vendasit presin Flamurtarin, kurse Kastrioti do të luajë me Tiranën. Ndeshja me shumë mundësi do të luhet në Durrës, për shkak se krutanët janë të dënuar.
Java e 25-të mbyllet me një takim mjaft interesant, por që fatkeqësisht do të luhet pa praninë e tifozëve. Partizani i vendit të parë zbret në fushë dhe synon të mundë Teutën, aktualisht e treta në klasifikim. Durrsakët duan Europën dhe do tentojnë të mos dalin pa pikë.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25
E shtunë, më 16 mars 2019
Ora 17:00 | Skënderbeu-Kukësi
E diel, më 17 mars 2019
Ora 14:00 | Laçi-Flamurtari
Ora 14:00 | Kastrioti-Tirana
Ora 17:00 | Partizani-Teuta