Synimi i Kamzës mbete i qartë: të mos jetë kalimtare në Superiore. Presidenti Qarri, me mbështetjen e Bashkisë, po mundëson formimin e një skuadre konkurruese. Drejtuesit kanë deklaruar se synohen 6 vendet e para dhe për këtë duket se janë në rrugën e duhur. Trajneri Ramadan Ndreu e ka thënë hapur se është në kërkim të një sulmuesi dhe emrat nuk kanë munguar. Dëshira e parë është ajo e Sebino Plakut, megjithatë Stefan Raçiç ka dalë përsëri në skenë.
RAÇIÇ – Ish-sulmuesi i Partizanit, mund të rikthehet në Superiore. Aventura në skuadrën serbe, Backa, nuk po shkon mirë dhe lojtari është ulur në bisedime për të gjetur gjuhën e përbashkët për të shkëputur marrëveshjen. Drejtuesit e Kamzës dhe menaxheri i lojtarit janë në negociata të avancuara, por fillimisht lojtari duhet të mbyllë gjithçka në Serbi. Nëse do të arrihet që lojtari të kalojë i lirë, atëherë Kamza do të siguronte shërbimet e një sulmuesi me mjaft eksperiencë.