Rezistenca zgjati 40 vjet, Formula 1 “dritë jeshile” basteve në gara

Sporti në botë evoluon, gjithçka ndryshon dhe të gjithë duhet t’i përshtaten tregut. Bastet janë bërë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve sportive, për një biznes global, në të cilin qarkullojnë miliarda dollarë në vit.

Tashmë edhe Formula 1 i është dorëzuar tregut të basteve. Pavarësisht se Berni Ekleston i rezistoi presionit për vendosjen e basteve në gara për 40 vjet, së fundmi është regjistruar një ndryshim historic: Cirkusi ka firmosur kontratën që autorizon vendosjen e basteve për garat.

Një marrëveshje nga e cila sporti më i rëndësishëm i garave me makina do të përfitojë 100 milionë euro. Megjithatë, me rrezikun e trukimeve, që mbetet aktual në të gjitha disiplinat, drejtuesit e Formula 1 kanë kërkuar ndihmë profesionale që integriteti i garës të mbetet i pastër.

Për këtë arsye, ata kanë punësuar kompaninë “SportRadar”, e cila kujdeset për monitorimin dhe sinjalizimin e basteve të dyshimta në shumë sporte. Sipas përfaqësuesve të kompanisë që lufton bastet e paligjshme, me qëllim përfitimin nga paracaktimi i rezultatit të garës “rreziku për trukime në Formula 1 është shumë i ulët krahasuar me sporte të tjera, sepse pilotët janë të mirë-paguar, numri i garave është i ulët dhe ata janë shumë, por shumë të vëzhguar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *