Rexhinaldo sfidon rivalët, Mezani: Kjo, finalja e parë për Laçin!

0

Vladimir Prenga

Laçi është gati për ndeshjen me Kamzën. Kurbinasit dje në mesditë zhvilluan seancën e fundit stërvitore dhe më pas u grumbulluan në një nga hotelet e Fushë-Krujës, për t’u nisur sot drejt Kamzës. Trajneri Gentian Mezani nuk do të ketë disa prej futbollistëve në dispozicion për këtë takim, kjo për shkak dëmtimesh. Lulaj, Eskerda dhe Lushkja nuk janë grumbulluar, ashtu si edhe të rinjtë Bushi e Prodani, që e kanë humbur fazën përgatitore për shkak të problemeve fizike. As Erjon Dragoj, i afruar nga Pogradeci nuk është, pasi ndodhet në Turqi me Shqipërinë U20, që sot luan një miqësore me Azerbajxhanin U20.

MEZANI – Trajneri i kurbinasve ka theksuar para ndeshjes me Kamzën se skuadra e tij po kalon një moment të mirë dhe është e gatshme për finalen e parë. Ai flet edhe në lidhje më lëvizjet e merkatos dhe pret një pjesë të dytë të sezonit edhe më të vështirë. “Gjendja e skuadrës është mjaft e mirë. Ekipi ka punuar me seriozitet dhe dëshirë gjatë kësaj periudhe dhe të gjithë kanë qenë të përqendruar te përgatitja e ndeshjes me Kamzën. Sigurisht është një ndeshje e vështirë dhe ne do tentojmë të bëjmë më të mirën tonë. Sa i përket afrimeve, shpresojmë të kenë kapur ritmin e pjesës tjetër të skuadrës dhe të na ndihmojnë për vazhdimësinë. Objektivi? Si në çdo ndeshje ne futemi me idenë e qartë për të dhënë gjithçka në fushën e blertë. Çdo ndeshje për ne është finale dhe si të tillë e kemi përgatitur edhe përballjen me Kamzën. Uroj ta nisim me këmbë të mbarë dhe të vijojmë me rezultatet pozitive. Sigurisht të gjithë jemi optimistë dhe urojmë që në fund të sezonit të dalim sa më mirë”, deklaroi Mezani.

REXHINALDO – Sulmuesi nga Mozambiku është shënuesi më i mirë i kurbinasve, teksa ka realizuar 7 herë në 12 javët e para të kampionatit. Me anë të një postimi në “Facebook” ai ka paralajmëruar rivalët e Laçit, teksa shkruan: “Pas katër javësh pushimi të kampionatit, për shkak të temperaturave të ulëta dhe kushteve të papërshtatshme për të luajtur futboll, do të rifillojë nesër (sot) kampionati. Unë jam i përgatitur si kurrë më parë për të vazhduar punën time, për të shënuar gola dhe për të ndihmuar ekipin tim. Beni kujdes, sepse do t’i shkatërroj kundërshtaret dhe do të shënoj shumë gola, sepse dëshira për fitore është e jashtëzakonshme. Ne jemi të bashkuar”.

Formacioni i mundshëm 

 Selmani – Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini – Shtubina Jonuzi, Kallaku – NikaUzuni – Rexhinaldo

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.