Revolucioni Vllaznia, në janar kalon te biznesi

Kanë kaluar 16 vite që nga hera e fundit që Vllaznia ka fituar kampionatin, ndërkohë që vitin e ardhshëm bëhet një dekadë që kur ka ngritur për herë të fundit lart kupën e Shqipërisë. Statistika dëshpëruese për një klub i cili nuk mban vetëm siglën e të parit formacion sportiv që ka luajtur ndonjëherë futboll në Shqipëri, por sidomos në vitet e komunizmit ka qenë një rivale e denjë e 3 klubeve të kryeqytetit. Tradita u trashëgua disi, madje në Shkodër u festua titulli i parë pas rënies së komunizmit, në 1992. Sot është e parafundit në renditje, renditet në vendin e 404-t në Europë dhe në këtë format administrimi nuk ka asnjë shpresë për të kthyer lavdinë e së shkuarës.

Sukseset pas viteve ‘90 kanë qenë të lidhura ngushtë me dy personazhe: i ndjeri Myftar Çela, njeriu që fitoi dy tituj në 1998 dhe 2001, dhe Valter Fushaj, presidenti i cili e administroi klubin në fitimin e kupës së fundit dhe disa rezultate radhazi impresionuese në Europë, duke kaluar të paktën 4 herë turin e parë, gjë që për kohën ishte një rekord më vete.

Nga viti 2011 administrimin e Bashkisë e mori në dorë Bashkia dhe klubi edhe sot e kësaj dite është një shoqëri aksionere, por me kapital 100% bashkiak. Që nga ajo ditë, ka pasur dy tentativa për ta lidhur me biznesin. Agron Çela, i cili u largua sapo fitoi mandatin e deputetit, dhe kompania e huaj GEA, me të cilën është sot e kësaj dite në gjyq.

Në 6 vitet e fundit fondi i akorduar nga Bashkia për klubin e futbollit i ka kaluar të tre milionë eurot dhe kjo shifër në përgjithësi ka shkuar për pagesa lojtarësh. Rezultatet sportive nuk kanë qenë në nivelin e shumës së shpenzuar. Për trofe e për Europë nuk bëhet më fjalë, por gjithnjë e më shumë ekipi përpëlitet në fund të renditjes. Sezonin e shkuar shpëtoi vetëm pas një barazimi 0-0 në javën e fundit kundër Tiranës. Gjatë kësaj periudhe presidenti aktual i Kukësit Safet Gjici bëri një propozim konkret për të marrë administrimin e klubit, por oferta e tij për bashkëpunim me Bashkinë u refuzua nga krerët lokalë. Sfondi politik dhe raporti i Gjicit me Partinë Socialiste me siguri ka ndikuar në vendimmarrjen e një force të djathtë që qeveris qytetin.

Megjithatë, lajmet që vijnë nga Shkodra japin një fije shprese. Zërat që vijnë nga qyteti ku futbolli është pasion i madh bëjnë me dije se në janar klubi do kalojë sërish në duart e privatit. Ndoshta nuk flitet për privatizim të plotë aksioneve, por të paktën fillimisht për administrim. Emri më i lakuar është ai i Valter Fushajt, madje nëpër zë thuhet që ardhja e Gjokës në Loro Boriçi ka të bëjë pikërisht me të pas kuintave. Nëse gjërat ndodhin kështu si thuhet, fillimisht do ndërhyhet në merkato dhe më pas do rriten pretendimet për edicionin pasardhës, jo vetëm në ekipin e parë, por dhe në afrimin e të rinjve e më pas shitjes së tyre. Në epokën Fushaj Vllaznia fitoi shuma të konsiderueshme nga shitja e lojtarëve si Lika, Sukaj, Teli, Balaj apo Vajushi.

Lajmi është i mirë dhe potenciali për ta shndërruar futbollin e qytetit në një të tillë të rëndësishëm është shumë i madh. Borxhet e së shkuarës janë të papërfillshme, ndërkohë që stadiumi garanton komoditet. Sektori i të rinjve vazhdon të mbahet në këmbë, ndërkohë që një zë i rëndësishëm mund të jenë edhe tifozët. Shkodra është qyteti që ofron masivitetin më të madh në stadium, nëse gjërat shkojnë mirë. Në pak kohë dhe me kujdes mund të rikthehet së qeni një ekip pretendent.

9 tituj kampionë, 6 kupa të Shqipërisë, 2 Superkupa dhe 7 kualifikime në Europë, toka ku lindin kampionët dhe furnizues ndër dekada i skuadrave të moshave është në një moment kritik. Dhe këtu nuk flitet vetëm për të ndryshuar stafin apo lojtarët, këtu flitet mbi të gjitha për të ndryshuar presidencën. Faktet flasin vetë: vetëm një skuadër ka fituar një trofe që nga viti 1993 nën administrimin lokal, Flamurtari, kupën e Shqipërisë në 2009. Por gjërat duhen thënë si janë. Gjika, përveçse ishte pasionant, shfrytëzonte gjithë potencialet financiare të veta dhe të biznesit të qytetit për të arritur suksesin. Vllaznia në prag të ndryshimit të madh! Sa më parë aq më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online