Gjithçka nis dhe lind në një moment për të përfunduar dhe “vdekur” në të ardhmen e afërt, ose të largët. Barcelona është një nga klubet që i qëndron shumë besnike filozofisë së saj. Stil loje unik dhe i njëjtë për të gjithë ekipet, që nga ai i Valverdes e deri te ato të moshave.
Deri para pak vitesh, klubi spanjoll nuk pranonte të mbante sponsorë në uniformat e tyre, por u detyrua të dorëzohej përballë milionave.
Futbolli është transformuar dhe aspekti financiar është po aq i rëndësishëm sa sukseset sportive. Gjithnjë e më pak origjinalitet, pasion e romanticizëm e gjithnjë e më shumë marka, reklama dhe para të fituara. Të nevojshme për të paguar rrogat e shtrenjta të yjeve të saj dhe për të blerë kartonët e lojtarëve, që kanë prekur majat.
Klubi nga Katalunja ndodhet në prag të një tjetër mini revolucioni. Siç citon “RAC1”, së shpejti mund të ndërrojë dhe emri i stadiumit ”Camp Nou”. Drejtuesit e klubit janë pranë arritjes së një akordi me gjigantët e farmaceutikës, “Grifols”, që mund të jetë dhe emri i tij i stadiumit mitik. Selia e korporatës ndodhet në qytetin e Barcelonës dhe ata janë gati ta mbulojnë me ar klubin.
Një gjë e tillë nuk vjen falas dhe “Grifols” ka kërkuar ndryshimin e emrit legjendar të stadiumit. Një gjë e tillë do të sjellë padyshim kritikat e tifozëve, por klubet po “dorëzohen” gjithnjë e më shumë përballë milionave. Një gjë e tillë pritet të ndodhë brenda një viti, ndërsa klubi që ka krijuar markën dhe emrin e tij me shumë sakrifica do ta pranojë diçka të tillë.
“Camp Nou” nuk do të jetë më, pavarësisht se mbetet dhe do të jetë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së Barcelonës dhe jo më së ardhmes…