Dështimi për t’u ngjitur vjet në Superiore ka bërë që të ketë ndryshume të shumta te skuadra lezhjane
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja iu rikthye përgatitjeve sërish dje, ndërkohë që deri më tani janë afruar guineasit Isak Kamara i ardhur nga Besa, Mus Bangura dhe Sheik Konte të ardhur nga Pogradeci. Të tre këta futbollistë kanë qenë të huazuar dhe lezhjanët i kanë kthyer pas, për shkak se te Flamurtari kanë huazuar dyshen Sidibe-Kamara. Veç lojtarëve guineas, janë kthyer edhe tre futbollistë lezhjanë, mbrojtësit Danaj e Met’hasani nga Burreli, si dhe portieri Rinev Danaj i ardhur nga Shkënolli.
Nga futbollistët që mbyllën sezonin te Besëlidhja vjet janë thirrur vetëm portieri Elson Demi, mbrojtësi i majtë Edison Ndreca, mesfushorët Samet Hepaj dhe guineasi Oumar Kamara, si dhe sulmuesi Spartak Ajazi, ky i fundit i larguar nga Besëlidhja para mbylljes së sezonit. Pjesa tjetër e skuadrës është plotësuar me futbollistë vendas të dalë nga moshat e Besëlidhjes dhe të dy akademive private që luajnë në Lezhë dhe që militojnë në Superiore.
Jashtë listës së grumbullimit kanë mbetur mbrojtësit Klodian Semina, Klejdi Dibra, Dritan Smajli, Arbër Shytani dhe Saimir Kastrati. Gjithashtu as mesfushori Senad Lekaj e sulmuesi Bledar Marashi nuk janë grumbulluar me ekipin. Të gjithë këta futbollistë të lartpërmendur, që sezonin e shkuar kanë qenë titullarë të Besëlidhjes, ende janë nën kontratë dhe nuk dihet fati i tyre. Sikurse edhe kuptohet, presidenti Gjokë Noka ka bërë një revolucion në ekipin e tij dhe në fakt e kishte paralajmëruar, pasi mbeti i zhgënjyer nga fakti që vjet nuk mundën të garantonin dot ngjitjen në Superiore.