Humbja katastrofike në “Kamp Nou” përballë Barcelonës, mund të ketë qenë e fundit për trajnerin Hulen Lopetegui, në krye të stolit të Realit. Shpërfytyrimi në El Clasico duket se e bën të pashmangshëm ndryshimin teknik, me Antonio Konten që mbetet kandidati kryesor për madrilenët.
“Los Blankos” kanë regjistruar një prej fillimeve më të dobët të kampionatit në histori, ndërsa kapiteni Sergio Ramos tregoi arsyet që sollën këtë situatë. Do të ishte naive të mendohej se kapiteni ka treguar “pa dashje” atë çfarë Lopetegui ka bërë gabim në krye të skuadrës, ndërsa në zonën miks foli për ardhjen e mundshme të Kontes dhe faktin nëse Reali ka nevojë për “një dorë të hekurt”.
“Respekti fitohet, nuk imponohet. Kemi fituar shumë trofe me trajnerë që ne i njihnim. Ndonjëherë, menaxhimi i skuadrës dhe i situatave të brendshme në dhomat e zhveshjes, është më i rëndësishëm se njohuritë teknike”.
Fjalët e Sergio Ramos konfirmojnë se Lopetegui nuk ka më mbështetjen e askujt te Reali i Madridit. Deklaratat e kapitenit pas turpërimit në El Clasico shërbejnë edhe si mesazh për klubin dhe presidentin Florentino Perez, për të treguar se ndryshimi në krye të stolit tashmë është shndërruar në një domosdoshmëri dhe shkarkimi i Lopeteguit duket i pashmangshëm.