Java e 17-të e Superligës u mbyll me takimin midis Skënderbeut dhe Luftëtarit. Skuadra gjirokastrite befasoi kampionët në fuqi duke fituar ndeshjen me rezultatin 2 – 3. Falë këtyre tri pikëve Luftëtari kalon Tiranën dhe largohet katër pikë nga zona e ftohtë. Në krahun tjetër, Skënderbeu shpërdoroi një mundësi të artë për të ngushtuar në tre pikë diferencën me kryesuesit e Partizanit. “Demat e Kuq” tashmë mund të festojnë, pasi hapi fals i korçarëve i kurorëzon ata kampionë dimri.
Nga barazimi i së premtes midis Partizanit dhe Kukësit ka përfituar Teuta. Skuadra durrsake mposhti me rezultatin e thellë 0 – 4 Kastriotin e vendit të fundit dhe tani renditet e dyta katër pikë larg Partizanit dhe një pikë mbi Kukësin e vendit të tretë.
Fitorja e Flamurtarit ndaj Kamzës dhe ajo e Laçit ndaj Tiranës kanë krijuar një ngjeshje nga vendi i dytë në të gjashtin, ku skuadrat ndahen me vetëm një pikë nga njëra-tjetra. Humbja ndaj skuadrës kurbinase i ka kushtuar shumë Tiranës, e cila në rast fitoreje do t’i largohej pesë pikë larg Kamzës së vendit të nëntë. Mesa duket “ethet” e mbijetesës do ta shoqërojnë deri në fund të sezonit klubin bardheblu.