Vllaznia ka arritur që të fitojë ndaj Teutës në një ndeshje spektakolare që prodhoi 6 gola. Pa hyrë mirë në fushë ne blertë, në sekondën e 51 ishte Latifi që shënoi super gol nga distanca. Ndërkohë pas vetëm 6 minutash, Dianje u harrua i vetëm në zonë dhe do të dyfishonte shifrat.
Gjendjen e Teutës e përkeqësoi Latifi në të 17, për të dërguar rezultatin në 3-0 pas goditjes së saktë me kokë. Por nëse pritej fitore e thellë e shkodranëve, Teuta hyri në lojë. Mbrojtja e shkodranëve u kap e papërgatitur në minutën e 18 teksa Beqja nxori Hebajn me portën e boshatisur.
Gjithçka u rihap në të 40, ku thuajse në të njëjtën situatë, Hebaj shërbeu për Lorenzo Vilën që ngushtoi gjithçka në 3-2. Por në fund nuk u arrit përmbysja e madhe pasi Jonuzi shënoi super gol nga distanca në të 72. Në fund ka vend edhe për një karton të kuq të Qaqit në minutat shtesë pas bërrylit ndaj Aralicës. Më poshtë gjeni deklaratat e trajnerëve për “Supersport”:
Arapi: “Jam i kënaqur me reagimin tonë pasi u pësuan tre golat. Po luanim me Vllazninë që ka shumë cilësi dhe ta bën punën shumë të vështirë. E kam thënë që e dimë ku e kemi problemin, faktet e tregojnë, pësojmë shumë gola. Jo gjithçka zgjidhet shpejt. Mua më bën optimist si fitimi i një lojtari si Jarxhi. (Faulli i dhënë në favor të Dianje për ndërhyrjen e Lorenzo Vilës, dy lojtarët e Teutës dilnin të vetëm para Zogovic) “Nuk e di, ky Jorgji shpik rregulla siç i ka shpikur gjithmonë. Vila e ka shtyrë vetëm me trup dhe kaq, siç ndodh. Por të paktën të lejonte vazhdimin e aksionit dhe më pas ta shikonte se me pamjet që unë po shoh, nuk kishte për bindje të plotë”
Brdaric: “Një trajner nuk është kurrë i kënaqur. Jam 85 përqind i kënaqur nga skuadra ime dhe jemi në përmirësim e sipër. E humbën kontrollin vetëm në 15 minutat e fundit të pjesës së parë. Nëse gjërat do ecnin më mirë për ne do ishim në vend të parë sot. Jemi ekipi që krijon më shumë raste të pastra në Superiore. Teuta është kampione në fuqi dhe nuk është ekip i keq.