Relacioni i plotë/ Nga privatizimi i ekipeve dhe mënyra sesi rritet futbolli me sportet në tërësi, në tavolinën e Qeverisë

Topi ka kaluar në tavolinën e Qeverisë që ka në dorë për të dhënë vendimin e fundit dhe të vendosë nëse do të jetë përkrahë sportit apo kundër tij. I deleguari i tyre, Fidel Ylli, ka zhvilluar një takim me presidentët e Superiores dhe Ligën në tërësi duke dëgjuar më afër problematikat që i shoqërojnë.

Kërkesa e parë ka qenë për një shpjegim më në detaje të katër pikave që nuk ka vonuar shumë. Një relacion i plotë ka mbërritur tanimë në krahun e Qeverisë që kanë më në detaje të gjitha pikat dhe mënyrën sesi mund të rritet futbolli dhe sporti në tërësi. Një investim ky me fitim të garantuar pasi pas disa vitesh arkat e shtetit do të mbushen nga ajo që në shumë vende të botës e kanë kthyer si “industri të dytë”, futbolli më në veçanti. Më poshtë keni edhe relacionin e plotë e dërguar me shpjegimin e të gjitha pikave. /Sport Ekspres/

Relacioni i plotë

1.Ndryshime në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, ç’ka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

Sporti shqiptar gjendet në një udhëkryq, por ky moment mund të shërbejë për të revolucionarizuar të adhmen e sportit shqiptar. Liga Profesioniste e Futbollit dhe klubet anëtare të saj shpresojnë të ndërgjegjësojë qeverinë shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë moment reflektimi për të krijuar një herë e mirë bazën e duhur ligjore dhe nxitëse për sportin në vendin tonë.

Qëllimi është formalizimi i të gjitha klubeve sportive në futboll, basketboll, volejboll e në të gjitha sportet elitare, si edhe nxitja e biznesit për të investuar në sport, duke i krijuar lehtësira fiskale si në të gjithë botën që investimi në sport të jetë sa më aktraktiv. Kjo paketë ligjore synon ndërhyrjen në disa ligje e vendime të Këshillit të Ministrave me qëllim krijimin e një ekonomie sportive autonome.

Në fakt, ky ngërç vjen pas disa vitesh përpjekje nga ana e klubeve, nga ana e Federatave perkatese, që kanë provuar vazhdimisht të marrin premtime nga ana e qeverisë, por asnjë veprim konkret për të vërtetuar se qeveria ka vërtetë vullnetin për të bërë një ndryshim cilësor të sportit në të ardhmen.

Takimet mes komunitetit të futbollit dhe përfaqësesve të qeverisë shqiptare kanë nisur në vitin 2016, falë edhe vëmendjes së shtuar për shkak të performancës së mirë të Kombëtares në Europianin e Francës. Janë zhvilluar disa takime mes përfaqësuesve të lartë të FSHF-së (në atë kohë nuk ishte krijuar Liga Profesioniste) për rëndësinë e ndryshimit të “Ligjit për Sportin”. Një material i përgatitur i është dërguar edhe Kryeministrit nëpërmjet Drejtorisë Ligjore.

Në vitin 2017 në Komisionin e Ligjeve ku ishte i ftuar së bashku me disa drejtues Federatash të sporteve të tjera, Presidenti i FSHF-së Armand Duka ngriti shqetësimin se për të nxitur reformën në sport, nuk do të mjaftonte thjesht miratimi i “Ligjit për Sportin”, por nevojitej një paketë e plotë ligjore, që do të ishte pikënisja e një reforme të vërtetë.

U ngritën grupet e punës dhe fillimisht Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet përfaqësuesve të saj ka qenë mjaft aktive për përfundimin e këtij procesi, gjë që nuk është vënë re nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.

Në mars të vitit të kaluar, pas ngjarjeve të dhunshme në Kamëz dhe ndërprerjes së kampionatit, në Hotel “Tirana Internacional” në Tiranë u organizua një tryezë e përbashkët mes përfaqësuesve të qeverisë, deputetëve të parlamentit shqiptar dhe klubeve të futbollit. Atje, Kryeministri Edi Rama shtroi idetë e tij për të ndihmuar dhe çuar futbollin drejt formalitetit dhe rritjes së cilësisë, ndihmuar kjo edhe me një seri lehtësirash e ndihme, që shteti do të afronte nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Ai përcaktoi një afat prej 100 ditësh për të realizuar këto premtime, të cilat në fakt, janë shumë më tepër se katër kërkesat e përmbledhura të Ligës Profesioniste të Futbollit.

Kanë kaluar më shumë se 18 muaj nga ky takim dhe shumë pak ka ndodhur. Është miratuar “Ligji për Sportin”, i cili në përgjithsi është një ligj i mirë dhe bashkëkohor. Por kaq nuk mjafton, në këndvështrimin tonë.

Ndërkohë, në dhjetor 2019 është miratuar ligji 84/2019 , i cili ka sjellë  ndryshime në  “Ligjin për Sponsorizimet” te vitit 1994, një ligj që për 25 vjet me radhë nuk mundi të prodhojë asnjë të ardhur për sportin shqiptar. Duke u zhgënjyer nga ky realitet dhe duke qenë në gjendje të vështirë financiare, Liga Profesioniste e Futbollit ka përsëritur kërkesat e saj dhe për dy javë nuk e ka filluar kampionatin kombëtar.

Zoti Fidel Ylli, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është ngarkuar nga Kryeministri Rama si  negociator dhe të hënën e kësaj jave ka biseduar me Ligën Profesioniste dhe është rënë dakort për përgatitjen e këtij material, që është jo vetëm sqarues, por edhe një studim i mirëfilltë në lidhje me të mirat dhe impaktin që do të merrte sporti shqiptar nga ndryshimet e kërkuara.

Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara ne kërkojmë : “Atë që politika shqiptare nuk e ka bërë për 30 vjet, lëreni ta bëjë biznesi”.

Qëllimi madhor i sportit në përgjithësi, është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve.

Sporti është një nevojë publike, dhe si e tillë kërkon vëmendjen dhe financimin nga ana e organeve drejtuese të çdo shteti. Pra, financimi në sport nuk është luks, as tekë apo kërkesë e veçantë e Ligës apo e klubeve tona sportive, por është detyrë themeltare e çdo qeverie në çdo vend të zhvilluar dhe demokratik.

Në këto 30 vite tranzicion, fatkeqësisht dhe siç e dimë të gjithë, Qeveritë që kanë qenë në pushtet, kanë pasur një mungese të theksuar të fokusit në sport, kanë qenë dritëshkurtër në ato pak para që kanë shpenzuar për sportin, dhe mbi të gjitha nuk kanë pasur një strategji të mirëfilltë dhe afatgjatë për zhvillimin dhe mbështetjen e tij.

Me anë të këtij propozimi, Liga Profesioniste e Futbollit ju parashtron shkurtimisht të gjithë përfitimet ekonomike, sociale dhe financiare, që i gjithë komuniteti sportiv do mund të përfitojnë nga kjo paketë ligjore, si një pikënisje e një strategjie afatmesme/afatgjatë, që jemi të gatshem të hartojmë me qeverinë dhe me të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e sportit në vendin tonë.

Ligji aktual i Sponsorizimeve

Elementi i parë dhe më i rëndësishëm i paketës ligjore, që ne kemi propozuar lidhet me ndryshimin e ligjit aktual të sponsorizimeve, që siç pohohet dhe vlerësohet nga shumë ekspertë të ekonomisë është tërësisht jo eficent në gjenerimin e sponsorizimeve apo investimeve në sport.

Në Republikën e Shqipërisë, siç e dini, në lidhje me sponsorizimet vazhdon të jetë në fuqi një ligj i vitit 1994, tërësisht i pazbatueshëm dhe pa asnjë efekt real në ekonominë sportive të vendit, siç pohohet dhe konfirmohet nga të gjithë faktorët dhe investuesit në sportin shqiptar gjithë këto vite.

Në vijim të takimit të marsit 2019 me z.Kryeministër, në dhjetor, ndryshe nga sa u propozua prej komunitetit të futbollit, u miratua një amendim i këtij ligji, që bën të mundur që sponsorizimet sipas ligjit të vitit 1994 të kenë një përfitim fiskal 3 herë më të lartë se më parë.

Me amendimin e ri, nuk ndryshon formula, sërish kompanitë mund të sponsorizojnë deri në një maksimum prej 5% tashmë të fitimit përpara tatimit, dhe për këtë 5% që sponsorizojnë t’u njihet një shpenzim i zbritshëm në 3-fishin e vlerës së sponsorizuar.

Për më tepër në ligjin e ri është vendosur dhe një tavan që këtë “privilegj” mund ta kenë vetëm kompanitë që kanë një fitim të tatueshëm prej më shumë se 100 milion lekë (rreth 800 mijë euro), duke e zvogëluar edhe më tej bazën e bizneseve sportdashës që duan të sponsorizojnë në sport. Pra, një biznes duhet që të jetë shumë i madh për tregun shqiptar, të ketë fitime neto mbi 800 mijë euro, në mënyrë që të mund të sponsorizojë në sport. Të gjithë e dimë që ekonomia shqiptare është e vogël, që janë shumë të pakta realitete të tilla në tregun shqiptar, e lidhur kjo dhe me faktor si informaliteti apo shmangia fiskale, dhe në këtë mënyrë efektiviteti i këtij ligji është thuajse zero.

Siç e dini sporti në përgjithësi është mbi të gjitha pasion dhe dashuri, dhe kjo dashuri rrallëherë gjendet në korporatat e mëdha, dhe shumëshpesh, në mos gjithmonë, gjendet te njerëzit e zakonshëm, te biznesi i mesëm dhe i madh i ngritur me djersë e vështirësi nga mijëra shqiptarë të suksesshëm. Ekonomia shqiptare është e vogël dhe këta biznesmenë e shqiptarë të suksesshëm që duan të japin kontributin e tyre në sport nuk arrijnë të kenë 800 mijë euro fitim neto çdo vit në kompanitë e tyre.

Në lidhje me shifrat, po ju japim edhe pamje sesi do fuksiononte ky ligj në ato pak raste që rezultojnë me fitime neto të tatueshme mbi 1 milionë euro. Në qoftë se një biznes që ka një fitim të tatueshëm prej 1 milionë euro, mund të sponsorizojë nga fondet e veta vetëm 50 mijë euro ne futboll, basketboll, volejboll apo ne sporte te tjere elitare, në qoftë se ka mbi 2 milionë euro vetëm 100 mijë euro dhe kështu me radhë.

Besojmë që jeni në dijeni që kostot qe marrin persiper financuesit aktual të klubeve sportive shqiptare, te te gjithe disiplinave sportive,  jane shume te larta, dhe me te larta akoma kur behet fjale per perfaqesiminin denjësisht te Shqipërisë dhe sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Një element tjetër që e bën të pavlefshëm ligjin aktual është mungesa e vlerës. Në një ekonomi si e jona, buxhetet e marketingut dhe reklamave lidhen kryesisht me median audiovizive, si elementi më përfitues i çdo biznesi. Me anë të ligjit të ri të miratuar, klubet tona duhet të shkojne t’i kërkojnë bizneseve sa më sipër që nga paratë e veta të destinuara për qëllime të tjera në këtë kohë krize të përgjithshme, t’i sponsorizojnë në sport. Ka rezultuar jo efektive në 30 vjet, dhe është e vështirë të funksionojë në një realitet si i yni.

Dhe se fundi, ligji parashikon që sponsorizimi të mund të bëhet vetëm pasi Drejtori i Përgjithshem i Tatimeve të japë Autorizimin për Sponsorizim. Në këtë drejtim ligji paraqet dy problematika:  (i) nuk jep asnjë parim mbi bazën e të cilit Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve mund të japë apo të refuzojë autorizimin, duke qenë kështu në kundërshtim me parimin e Kushtetutës që parashikon që ligji duhet të autorizojë organin dhe çështjet që duhet të rregullojë akti nënligjor dhe (ii) konfliktin e interesit që do të lindë në këtë rast, duke pasur parasysh që, Drejtoria e Tatimeve do të jetë e prirur të japë sa më pak autorizime për shkak të impaktit që do të ketë në performancën e saj.

Ligji i ri i propozuar

Për të gjitha arsyet sa më sipër, ne kemi propozuar ndryshimin e ligjit për sponsorizimet, që çdo biznes të ketë mundësi të japë kontributin e vet në rritjen dhe konsolidimin e sportit shqiptar.

Siç e përmendëm në krye të herës, sporti është një e mirë dhe një nevojë publike, ku të gjithë duhet të japin kontributin e tyre. Shteti fatkeqësisht nuk e ka bërë në mënyrë direkte këto 30 vjet. Me anë të këtij ndryshimi ligjor ne po kërkojmë që shteti shqiptar ta bëjë indirekt detyrën e vet me anë të biznesit.

Motori i zhvillimit të çdo ekonomie sportive, por dhe të çdo realiteti ekonomik në përgjithësi në shtetet e zhvilluara, sigurisht që është biznesi. Le të vëmë gurët e themelit që një gjë e tillë të ndodhë shumë shpejt edhe në Shqipëri.

Propozimi ynë është i thjeshtë, i bazuar kryesisht në legjislacionin e shtetit të Kosovës, një shtet i ri, por që fatmirësisht ka hedhur një hap të shpejtë dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimin e sportit. Kemi shtuar gjithashtu disa elementë të tjerë në përputhje me objektivat dhe strategjitë tona afatgjata, për t’i bërë sa më frytdhënëse këto sponsorizime.

Ne propozojmë që shoqëritë tregtare të kenë mundësi që deri 30% të tatimit mbi fitimin të mund ta sponsorizojnë/investojnë në sport.

Sipas të dhenave publike, tatimi mbi fitimin që mblidhet në total nga buxheti i shtetit në çdo vit është rreth 280 milionë euro. Sipas disa publike të zyrtarëve të ndryshëm të Ministrisë së Financave, është thënë që Liga po kërkon 30% të kësaj vlere, pra rreth 85 milionë euro në vit, gjë që nuk është aspak e vërtetë dhe jo e bazuar në kërkesat tona.

Ne propozojmë, në mënyrë që ta bëjmë më të lehtë edhe nga ana fiskale zbatueshmerinë dhe të kontrolluar skemën, të vendosim një limit minimal për kompani që arrijnë një fitim përpara tatimit të barabartë ose mbi 20 milionë lekë ose rreth 170 mijë euro.

Në bazë të informacioneve që kemi, tatim fitimi i kompanive që arrijnë një fitim të tatueshëm mbi 20 milion lekë është rreth 60 % e totalit të tatim fitimit total ose rreth 165 milionë euro.

Kërkesa jonë maksimale në qoftë se të gjitha kompanitë do zgjedhin të investojnë/sponsorizojnë në sport, është 30% e kësaj vlere, ose një total maksimal teorik prej rreth 50 milionë euro në vit. Sigurisht që vlera reale e sponsorizuar do të jetë shumë më e vogël, sidomos në vitet e para.

Parashikimet tona më optimiste arrijnë në vetëm 60% të kësaj shume, pra në rreth 30 milionë euro maksimalisht në vit. Vetëm kaq po kërkojmë. Pra, bëhet fjalë për një vlerë maksimale prej rreth 30 milionë euro në vit, e cila sigurisht në logjikimin tonë është mëse e arsyeshme dhe minimale, dhe duke përfshirë dhe argumentet e mëposhtëm, efekti neto në buxhetin e shtetit është akoma më i vogel.

Mënyra e përdorimit të fondeve nga sponsorizimet.

Në nivel përdorimi fondesh, propozimi ynë është i fokusuar në zhvillimin afatgjatë të sportit dhe gjithë komuniteve sportive, dhe jo thjesht në sponsorizime për mbylljen e kostove vjetore.

Ne propozojmë që përdorimi i fondeve të marra nga sponsorizuesit të jetë si më poshte:

  1. 50% e sponsorizimeve të përdoret për ndërtimin e infrastrukturës sportive, në teknologji, në logjistikë dhe blerjen e materialeve sportive. Këto investime të jenë të shtrira dhe të perfshijnë të gjitha sportet prioritare në Shqipëri, të përfshijnë futbollin, basketbollin, volejbollin, peshëngritjen, dhe një listë të gjatë të të gjitha sporteve të tjera prioritare në vendin tonë.

Nevoja imediate e çdo realiteti sportiv në Shqipëri janë ambjentet sportive, qofshin këto fusha futbolli a basketbolli, fusha volejbolli apo tenisi, salla peshëngritje apo pista vrapimi, pishina olimpike e shumë ambjente të tjera që sporte të veçanta prioritare kanë nevojë. Me anë të këtij propozimi ne po ju kërkojmë që detyrat që shteti shqiptar nuk i ka bërë siç duhet në 30 vite, t’ja lëmë t’i bëjë biznesi me anë të sponsorizimeve që do të bëjnë nëpër klubet sportive respektive.

Sikundër me partneritetin dhe bashkëpunimin e Qeverise shqiptare dhe të z. Kryeminister arritëm të ndërtojmë një vepër aq madhore si Stadiumi Kombëtar, apo edhe stadiumet e Elbasanit, Shkodrës dhe tani të Kukësit, kjo është një mundësi shumë e mirë për të nisur diçka të madhe së bashku, për t’u dhënë fëmijëve tanë mundësinë që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre pranë sportit.

Sipas shifrave të llogaritura më sipër, çdo vit ne shpresojmë që rreth 15 milionë euro nga këto sponsorizime të shkojnë në ndërtimin e infrastrukturës sportive, në teknologji dhe materiale sportive. Dhe në një periudhë afatmesme rreth 7-vjeçare në këtë mënyrë ja dalim që të kemi një infrastrukturë sportive të plot, me ambjente sportive europiane, si çdo vend tjetër i zhvilluar, ku çdo sport elitar të ketë ambjentet dhe mjetet e nevojshme sportive në cdo cep të Shqipërisë, dhe në këtë menyrë ti jap mundësi maksimale zhvillimit të fëmijëve dhe talenteve.

Propozimi ynë për kontrollin dhe mirëmenaxhimin e këtyre fondeve ka të bëjë me ngritjen e një komisioni me përfaqësues të KOKSH, të federatave sportive, të ministrive të linjës dhe asaj të financave, i cili do të rishikojë të gjitha projektet infrastrukturore të të gjitha klubeve e të gjitha sporteve prioritare, do përzgjedh projektet që plotësojnë kushtet dhe standardet e kërkuara, dhe do të lëshojë autorizimet për klubet apo strukturat sportive që të mund të përfitojnë nga këto sponsorizime.

Pra, i gjithë procesi do të jetë i mirëstrukturuar dhe kontrolluar në të gjitha hapat e tij, dhe do përzgjidhen ato projekte qe i sjellin një zhvillim afatgjatë sportit shqiptar.

  1. 25% e sponsorizimeve të shkojë për sportin e bazës, për fëmijët si edhe për Ligat dhe Federatat sportive.

Çdo vit, me dhjetra mijëra fëmijëve në mbarë vendin, merren me sport, luajnë volejboll, luajnë futboll, luajnë basketboll e shumë sporte të tjera prioritare. Këta femijë shpeshherë jane të organizuar në  klube të ndryshme (Tirana, Partizani, Studenti, etj) apo edhe në realitete të vogla lokale.

Një pjesë e mirë e kostove per trajnimin dhe stervitjen e ketyre femijeve mbulohen nga familjet shqiptare, përpos vështirësive të shumta që kanë. Ne propozojmë që 25% e vlerës totale së sponsorizimeve të shkojë për të mbështetur këto sektorë kaq të rëndësishëm.

Në këtë menyrë u japim mundësinë te gjitha sporteve prioritare, të të gjitha niveleve qofshin ato, që të ndertojnë sic duhet të ardhmen e tyre.

Këtu fillon më tej edhe zhvillimi ekonomik i cdo klubi sportiv. Në një realitet si i yni zhvillimi i akademive të të gjitha disiplinave sportive, nxjerrja dhe mirëtrajnimi i talenteve, janë baza më e shëndetshme financiare që një klub sportiv mund të ketë. Sipas shifrave të llogaritura më sipër, çdo vit ne shpresojmë që mbi 7 milionë euro nga këto sponsorizime të shkojnë për sportin e bazes dhe për femijët tanë, në mënyrë që ata ta nisin jetën dhe karrierën e tyre sportive në kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre europianë.

Në lidhje me përqindjen e të ardhurave që mund të sponsorizohen në Ligat dhe Federatat sportive prioritare, propozojmë gjithashtu që sponsorizimi të jetë 25 % e buxhetit total të cdo Lige dhe Federate respektive, sponsorizime të cilat do të perdoren për të mbuluar nevojat e tyre operacionale apo për nevoja të zhvillimit të infrastrukturës.

Edhe për këtë pikë, do të jetë pikërisht komisioni i krijuar që do të vendos për perqindjet dhe vlerat monetare që mund të perfitojë secila federate sportive prioritare nga këto sponsorizime, në bazë edhe të strategjive afatgjata të zhvillimit të sportit në tërësi në vendin tonë.

Në kuader të marrëdhënies që Liga ka me FSHF, Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon dhe zyrtarisht që të gjitha paratë që do marrë nga këto sponsorizime do t’i përdor vetëm për infrastrukturën sportive.

  1. Vetem 25% e sponsorizimeve të mund të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të tjera operative. Në këtë pjesë hyjnë të gjitha klubet sportive që zhvillojnë aktivitetin në kategoritë e larta / kryesore të të gjitha sporteve prioritare, të gjitha ekipet që marrin pjesë ne kategorite e ulëta profesioniste/gjysëm profesioniste në të gjitha llojet e sporteve prioritare (futboll, basketboll, mundje, volejball, peshengritje, ciklizem, e te gjitha sportet e tjera prioritare).

Limiti për cdo klub sportiv dhe formalizimi.

Në nivel klubesh sportive ne propozojmë, që për cdo sport prioritar nga ana e komisionit të posaçëm të përcaktohen dhe vendose kostot mesatare vjetore per kategoritë përkatëse, si një mesatare e kostove në baze të bilanceve kontabël te dorëzuara ne autoritetet tatimore. Klubet sportive  mund të përfitojnë vetëm deri në 50% te kësaj vlere mesatare sipas secilës kategori.

Këto kosto mesatare vjetore të rishikohen cdo vit në baze të rezultateve të bilanceve përkatëse.

Pra, në qoftë se për Kategorinë e Parë në volejboll vendoset një mesatare vjetore e kostove operative prej 200 mijë euro për klub, klubi i Studentit në volejboll mund te përfitoj sponsorizime deri në një shume maksimale prej 100 mijë euro ose 50% të mesatares. E njëjta gjë për të gjitha sportet prioritare dhe për të gjitha kategoritë, duke përfshirë kategoritë superiore, të para e të dyta sipas ndarjes në sportet respektive.

Propozojmë gjithashtu që për të incentivuar më tej formalizimin e të gjitha klubeve sportive, të vendosim një tavan maksimal dhe në nivel klubi sportiv. Një klub sportiv që bën pjesë në një kategori të caktuar, mund të përfitoj sponsorizime maksimalisht 50% te kostove të veta vjetore, pavarësisht se këto kosto mund të jenë më të ulëta sesa mesatarja.

Pra në qoftë se mesatarja e kostove operative për Kategorinë e Parë në basketboll vendoset që të jetë 200 mijë euro për klub, klubi i Partizanit sipas propozimit më sipër mund të përfitoj deri ne 100 mijë euro ose 50%. Por në qoftë se kostot operative totale të klubit të Partizanit janë 100 mijë euro në vit, shuma maksimale që mund të sponsorizohet është 50% e kësaj vlere ose 50 mijë euro në total.

Ne këtë mënyrë rriten investimet në sport, rritet formalizimi dhe eliminohet cdo rrezik për investime sporadike nga klube dhe në vite të caktuara.

Ky është një element shumë i rëndësishëm me anë të të cilit ne kërkojmë formalizimin total të çdo klubi sportiv, sipas standarteve të raportimit tatimor për çdo të ardhur dhe çdo shpenzim në klub, në mënyrë që të mund të përfitojnë sa më shumë fonde nga bizneset. Kjo do të thotë më shumë të ardhura të tatueshme dhe më shumë tatim në arkat e shtetit shqiptar, jo vetëm nga klubet, por edhe nga subjektet e tjera që klubet bashkëpunojnë/furnizohen.

Përfitiet që do ketë secili sport prioritar

Privatizimi.

Një element tjetër i rëndësishëm që duhet pasur parasysh në analizën financiare të ligjit të mësipërm lidhet me efektet afatgjata në ekonominë sportive ne vend. Një nga kërkesat e kahershme të botës së futbollit, por edhe e sporteve te tjera, e konfirmuar dhe dakordësuar së fundmi edhe me përfaqësues të Qeverisë lidhet me privatizimin e klubeve sportive.

Miratimi së fundmi nga Kuvendi i ligjit nr.105/2020, dat 29.7.2020 që sanksionon largimin e pushtetit lokal brenda një viti si aksioner në shoqëritë sportive, i ka celur rrugën këtij procesi, por ndërkohë krijon një boshllëk financiar pothuajse në të gjitha klubet sportive ( vetem ne futboll, të gjitha klubet e Superiores – përveç Partizanit – kanë aksionere bashkitë, nga 12,5 % deri në 100 %).  Në basketboll e në volejboll një pjesë shumë e madhe e klubeve zoterohen nga bashkitë përkatëse gjithashtu. E njëjta gjë vihet re dhe në sportet e tjera, duke bërë që cdo vit buxheti i shtetit të pëballojë një barrë shume të madhe financiare për financimin dhe mbështetjen e këtyre strukturave sportive.

Ligji i mësipërm është hapi i parë, që do t’i bëjë të mundur këtyre klubeve të privatizohen, me investitorët potencial, që do të kenë mundësi të sponsorizohen sipas ligjit të mësipërm për mbulimin e kostove të funksionimit të çdo klubi. Në këtë mënyrë buxheti i shtetit nuk do jetë më i detyruar të mbulojë kostot e mësipërme, por do të japë mundësi për krijimin e më shumë vlerave, më shumë të punësuar në sektorin sportiv dhe më shumë zhvillim në çdo cep të Shqipërisë. Sigurisht që përqindjet dhe modalitetet e përdorimit të fondeve do jenë të ndryshme për këto subjekte, rregulla e përcaktime që mbetemi të hapur t’i përcaktojmë me ekspertët tuaj në vijimësi.

Përfitimet në buxhetin e shtetit.

Legjislacioni sa më sipër shpjeguar do të sjellë më shumë vlerë në klubet sportive shqiptare, më shumë të ardhura, më shumë konsum dhe marrëdhënie me furnitorë, më shumë të punësuar, e si rrjedhim më shumë tatime, taksa dhe kontribute të derdhura në buxhetin e shtetit shqiptar, duke bërë që efekti financiar neto i ndryshimeve të mësipërme ligjore të jetë minimal ( afërsisht  30 % e këtyre sponsorizimeve ose rreth 10 milion euro i kthehet shtetit në formë indirekte nëpërmjet taksave, tatimeve, kontributeve, etj. ).

Gjithashtu duhet të kihet parasysh dhe një element tjetër shumë i rëndësishëm –  investimi në sport do të thotë një shëndet më i mirë. Sipas studimeve dhe raporteve të Organizates Botërore të Shëndetësisë, 1 euro i investuar në sport do të thotë 4 euro të kursyera në shëndetësi. Efekti i këtij ndryshimi për buxhetin e shtetit dhe ekonominë shqiptare sigurisht që do të jetë pozitiv, i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Sigurisht që për modalitetet, tipologjinë e marrëveshjet mes palëve, kontrollin nga ana e autoriteve tatimore, e të gjithe elementët teknikë për të përcaktuar, mbetemi gjithmonë të hapur për diskutime dhe për të dhënë kontributin tonë.

3.Faljen e gjobave dhe kamat vonesave për detyrimt fiskale të klubeve.

Detyrimet e prapambetura të bizneseve private ndaj institucioneve shtetërore janë një dukuri e përherëshme që na ka shoqëruar dhe vazhdon të na shoqërojë në tranzicion.

Herë pas here, qeveria ka iniciuar fushata për faljen e gjobave dhe kamatvonesave në rastet eshlyerjes së detyrimeve principale (për energjinë elektrike, eti… ).

Po kështu, bankat tregëtare janë shembulli më tipik i faljes së penaliteteve për klientët problematikë, në rastet e mbylljes totale të detyrimeve (në mjaft raste madje falin edhe një pjesë të principalit).

Theksojmë se detyrimet për të cilat po flasim janë të trashëguara prej vitesh dhe falja e gjobave dhe kamatvonesave do të mundësojë shlyerjen e detyrimeve bazë, çka në terma financiare janë më të mëdha se gjobat dhe kamatvonesat.

Këtu duhet të kemi parasysh që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë detyrime të pushtetit lokal, si aksionere dhe financues në pjesën më të madhe të klubeve sportive.

4.Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 vite në 10 vite.

Përshëndesim mirtimin nga Kuvendi të ligjit Nr 107/2020, por e gjykojmë si të pamjaftueshëm afatin 2-vjeçar për këto arsye:

  1. Për një periudhë kaq të shkurtër klubet nuk do të ishin të interesuara financiarisht të formalizonin marrëdhëniet me sportistët për pagat dhe shpërblimet dhe nuk do të bënin përpjekje për të minimizuar burimet informale të financimit.
  2. Nga ana tjetër, edhe lojtarët do të jenë më të interesuar në një marrëdhënie formalizimi afatgjatë çka ndihmon që edhe kontratat e lojtarëve nuk do të jenë më objekt i konflikteve gjyqësore.

III.           Nga pikëpamja financiare, nuk shohim ndonje kosto të shtuar për buxhetin (pasi sot të ardhurat nga ky zë janë pothuajse të papërfillshme) dhe ndërkohë buxheti do të arkëtojë më shumë të ardhura nga pagesat për sigurime shoqërore dhe shëndetsore gjatë periudhës që do të zbatohet ky ndryshim ligjor.

Duhet kujtuar që edhe vetë Kryeminstri në takimin e Marsit 2019  ka artikuluar për këtë çështje afate 5, 7 apo 10 vjet .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online