Seria A po rritet dhe po i rikthehet gradualisht periudhës së saj të artë. Kishte vite që kampionati italian e kishte humbur shkëlqimin e tij: mungesë yjesh, rendimet i dobët i skuadrave në kompeticionet europiane dhe gjithnjë e më pak tifozë nëpër stadiume.
Kjo e fundit ka ndryshuar dhe italianët po rikthehen në shkallët e stadiumeve. Java e fundit regjistroi mbi 300 mijë persona në stadiume, me një mesatare prej 30.295 tifozësh për ndeshje. Një numër rekord që konfirmon rritjen e vëmendjes ndaj kampionatit italian.
Ardhja e Kristiano Ronaldos ka dhënë efektet e veta, Napoli është rritur, klubet e Milanos po rikthehen, rivaliteti dhe konkurrenca janë në maksimum, ndërsa ka filluar të tejmbushet dhe stadiumi “San Siro”. Një shifër e tillë në shkallë nuk regjistrohej që nga viti 2010, është rekord absolut për tre sezonet e fundit, ndërsa trendi është në rritje.
Mesatarja e mbi 30 mijë tifozëve për ndeshje regjistrohet për herë të shtatë në 10 sezonet e fundit, ndërsa është hera e parë që ky numër kalohet në fazën e parë të kampionatit. Hera e fundit ka ndodhur në javën e 11 të sezonit 2008-2009.
Mesatarja e tifozëve për ndeshje deri më tani në këtë sezon është 25.448 tifozë për ndeshje, vitin e kaluar ishte 24.634, ndërsa para dy vitesh prekte shifrën e 21.415 tifozëve për ndeshje.
Ndeshja me më shumë tifozë e javës së fundit ishte Inter-Frozinone (63.645 tifozë), e ndjekur nga Napoli-Kievo (44.408 tifozë) dhe Juventus-Spal (41.052 tifozë).