Jan Oblak është një nga pikat më të forta të Atletikos së Madridit dhe një nga portierët më të mirë në botë. 25-vjeçari ka thyer një rekord në barazimin pa gola me Real Madrid. Gardiani slloven u tregua i saktë përballë Asensios dhe Karvahal, duke regjistruar ndeshjen e 72 në La Liga pa pësuar gol nga 123 në total me bluzën e “Colchoneros”.
Gjatë këtyre 123 ndeshjeve, portieri ka pësuar 71 gola, më pak sesa numri i ndeshjeve ku e ka mbajtur rrjetën të paprekur. Oblak debutoi me Atletikon me datë 21 mars të vitit 2015. Gjatë atij sezoni, Oblak zhvilloi 11 ndeshje, duke pësuar gjashtë gola dhe mbajtur portën të paprekur në 7 ndeshje.
Një sezon më vonë, Oblak zhvilloi 38 ndeshje, ku pësoi 18 gola. Ai e mbajti portën të paprekur për 24 ndeshje nga 38.
Në sezonin 2016/2017, slloveni zhvilloi 30 ndeshje, ku pësoi 21 gola, ndërkohë që e mbajti portën të paprekur për 15 ndeshje.
Sezonin e fundit Oblak pësoi 22 gola në 37 ndeshje, ndërsa e mbajti portën të paprekur për 22 ndeshje. Në tre sezonet e fundit ai është shpallur portieri më i mirë i La Ligës. Sezoni i ri nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse ka pësuar katër gola në katër ndeshjet e para, ndërsa tre ndeshjet e fundit e ka mbajtur portën të paprekur dhe momentalisht është në formë të shkëlqyer.