Xhani De Biazi ka dhënë përshtypjet e tij për Kombëtaren shqiptare. Në një prononcim për “Euronews Albania”, trajneri italian kujton sërish emocionet nga ai gol i shënuar nga Armando Sadiku në Euro 2016, ku shprehet se ekipi meritonte të kalonte edhe fazën e grupeve. Sa i përket ekipit të tanishëm të Shqipërisë, De Biazi thekson se nuk ka pësuar ndryshime të mëdha për shkak se ka ende lojtarë që dikur ishin nën urdhërat e tij. Nga ana tjetër shton se Reja ka fatin që të ketë mundësi të mëdha zgjedhjeje, duke qenë se futbollistët kuqezinj luajnë në kampionate të rëndësishme në Europë.
Goli i Sadikut në Euro 2016
“Ishte një emocion tepër i madh për të gjithë, për mua, për lojtarët dhe për të gjithë kombin, sepse besoj se ishte një moment i rëndësishëm, historikisht për Shqipërinë, dhe goli i Sadikut vulosi fitoren e parë në një kompeticion të rëndësishëm si Europiani dhe mendoj se ishte shpërblimi i drejtë për një ekip që meritonte edhe të kualifikohej në fazën e 1/8-ave“.
Shqipëria e Edi Rejës
“Nuk ka ndryshuar plotësisht pasi ka ende lojtarë të mi që bëjnë pjesë në ekip, por besoj se përgjithësisht Shqipëria ka fatin që ka në përbërjen e saj shumë lojtarë që luajnë në kampionatin italian, në kampionatin zviceran, pra jashtë kufijve kombëtarë dhe që janë lojtarë që kanë një eksperiencë të madhe. Besoj se ky fakt ndihmon në zgjedhjet e trajnerit Edi Reja dhe kjo ndihmon në përmirësimin e nivelit teknik të ekipit“.
Mbërritja në një kompeticion madhor me Azerbajxhanin
“Do të më pëlqente shumë, mendoj se jemi ende larg nga kjo hipotezë, sepse unë jam këtu prej 10 muajsh, dhe nuk kam patur shumë kohë në dispozicion, ndërkohë që lojtarët e kombëtares së Azerbajxhanit luan vetëm në kampionatin vendas, asnjë prej tyre nuk ka eksperiencë në kampionatet e rëndësishme, sikurse lojtarët shqiptarë dhe besoj se puna këtu është më e vështirë dhe më e gjatë, për të arritur rezultate pozitive”.
Italia në Euro 2020
“Mendoj se është një ndër ekipet favorite edhe pse unë mendoj se Franca është ekipi për t’u mundur në këtë kompeticion, sikurse edhe Belgjika që është një ekip me shumë kualitet. Italia është një ekip që mund të renditet ndër katër ekipet e para dhe uroj që çdo gjë të ecë mbarë në këtë europian. Italia i ka të gjitha shanset për të arritur në finale”, ka deklaruar Xhani De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/