“Reja është i fiksuar me Manajn“, Tahiri komenton Kombëtaren: Punojmë për të mos humbur, këta sulmues kemi

Ermal Tahiri ka komentuar takimin e fundit miqësor të luajtur nga Kombëtarja shqiptarë. I ftuar në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV”, ish-futbollisti kërkon nga Reja që të provojë më tepër në repartin sulmues, ku sipas tij trajneri italian është i fiksuar me zgjedhjen e Rei Manajt si titullar. Gjithashtu Tahiri shprehet se kuqezinjtë luajnë për të mos dalë me humbje nga stadiumi, pasi në sulm niveli ynë nuk është në atë lartësi sa të kërcënojë kundërshtarët.

“Më vjen mirë që iu dha mundësia Selmanit. Kështu duhet t’i jepet mundësia edhe të tjerëve. Broja mund të bëjë më mirë, pasi shikojmë që te Vitesse është ndryshe dhe ndryshe në Kombëtare. Reja është i fiksuar te Manaj, nuk e di pse nuk e provon në miqësore ndryshime në sulm, për të parë nëse mund të kemi diçka në të ardhmen. Kombëtarja punon shumë për të mos humbur. Këta janë sulmuesit, ky është niveli që kemi përpara. Reja e ka ndërtuar ekipin dhe ka besimin më të madh në këtë. Është më i sigurt për anën difensive, për sulmin është që po doli mirë doli po nuk doli, s’ke çfarë të bësh. Këtu ndryshon vetëm koncepti i lojës. Asnjëherë nuk kemi luajtur futboll sulmues”, u shpreh Tahiri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *