Çështja e pasuesit të Kristian Panuçit është shqetësimi kryesor në Federatën Shqiptare të Futbollit. Presidenti Armand Duka ka mbërritur në Shqipëri ditën e sotme dhe ka folur, por pa zbuluar shumë gjëra. “Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj”, thotë fillimisht Duka për ABC News dhe A2 CNN.
“Gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë. Edi Reja është një trajner shumë i mirë, sikurse janë edhe disa të tjerë. Gjithsesi nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi. Kemi një lloj kohe për të vendosur dhe nuk kemi pse të nxitohemi për ndeshjet e qershorit.
Ajo që i jep me shumë avantazh një kandidati shqiptar është fakti që mund ta njohë më mirë mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit dhe ambientin. Nuk besoj se ka teknikë të përgatitur, le të themi në nivelin teknik me eksperiencë të futbollit ndërkombëtar, mjaftueshëm në Shqipëri. Por duke pasur parasysh, kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë, pse jo”, ka deklaruar Duka.
“Besnik Hasi, Arjan Peço… mund të na jepni ndonjë emër? Rrotull këtyre emrave, pasi të tjerë nuk ka. Pse jo edhe Ervin Bulku, pse jo edhe Sul Mema, pse jo edhe ndonjë tjetër. Nuk e di nëse ishte kundërshtari modest, por përgatitja në një kohë të shkurtër, vetëm dy ditë, nga Bulku dhe Mema, për mua ka qenë maksimal”, përfundon Duka.