Situata në ekipin e Interit nuk është e mirë. Viti i ri ka nisur me një barazim kundër Sasuolos në shtëpi dhe humbjen kundër Torinos. Të enjten erdhi dhe eliminimi nga Kupa e Italisë me Lacion që kaloi në gjysmëfinale.
Gara për një vend në Champions është shumë e fortë dhe ekipet që ndodhen poshtë Interit po bëjnë mirë dhe po afrohen. Përveç rezultateve, një ndikim negativ po jep dhe merkato. Perishiç dhe Miranda kanë kërkuar largimin, ndërsa në dyshim mbetet dhe e ardhmja e kapitenit Ikardi, i cili nuk ka rinovuar ende.
Dejan Stankoviç është një lojtar, i cili jepte gjithmonë maksimumin në fushë. Ish-mesfushori luajti 9 sezone me zikaltrit dhe në prononcimin e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ai komenton situatën e klubit.
40-vjeçari ka informacion të plotë, vazhdon ta ndjekë Interin dhe ka një këshillë për lojtarët si Perishiç dhe Naingolan. Gjithçka ka të bëjë me aspektin psikologjik zgjidhja vjen nga ulja e kokës dhe puna e madhe. Mund të mos jesh në formë, por nëse jep shpirtin, tifozët do të duartrokasin gjithsesi.
“E ndjek gjithmonë Interin, kam informacion të plotë për situatën dhe isha në stadium në ndeshjen kundër Lacios. Kur flisja që zikaltrit ishin ekipi anti-Juventus nuk isha i çmendur. Në ekip ka lojtarë të nivelit të lartë në të gjitha repartet. Është një çështje koke. Skuadra që vuri në vështirësi Juventusin në dhjetor është po kjo që është sot. Arsyeja kryesore ka të bëjë me merkaton. Mendoj për Perishiç, Mirandën dhe në disa aspekte për Ikardin. Disa i përjetojnë keq situata të caktuara dhe e kam fjalën për fishkëllimat kundrejt Perishiç.”
“E njoh Ivanin dhe është një djalë i shkëlqyer. Ndonjëherë bëhet një deklaratë më shumë dhe nuk mendohet për pasojat e saj. Kam kaluar dhe unë një situatë të ngjashme. Nuk isha në formë, trajner ishte Roberto Mançini. Duhet rikuperuar Perishiç, por dhe Naingolan. Zgjidhja? Unë ulja kokën dhe nuk toleroja asnjë centimetër. Koncepti është i qartë: nëse nuk je në 100% të formës tënde, jep në fushë 100% dhe kjo do të mjaftojë për të marrë duartrokitjet e tifozëve.”