Rebelohen “mysafirët” e Burrelit

“Një javë afat kanë autoritetet e skuadrës së Burrelit të zgjidhin çështjen e pagave tona, ndryshe, ne nuk do të luajmë me skuadrën matjane”, shprehen për “Sport Ekspres”, disa nga futbollistët e skuadrës verilindore. Xhixha, Kaloshi, Kordha, Mustafa, Nikshiqi, Ujkaj, Met’hasani janë shprehur njëzëri se do të presin deri nga fundi i javës së ardhshme që Bashkia Mat dhe Klubi i Burrelit të lëvrojë pagat e prapambetura. Në të kundërt, në rast se nuk ka reagim dhe shlyerje nga klubi, ato do të hyjnë në bisedime me skuadra të tjera.

“Nuk mund të presim pafundësisht. Me sa kuptojmë Burreli këtë sezon do të ketë probleme me grumbullimin e skuadrës. Ne nuk mund të djegim karrierën tonë se zyrtarët e Burrelit nuk na përgjigjen pozitivisht”, sqaruan ish-futbollistët titullarë të skuadrës së Burrelit në edicionin e shkuar. Ato pohojnë se kanë hyrë në bisedime më vartës të administratorit të klubit matjanë, por si përgjigje kanë marrë justifikimet e bashkiakëve se: “Për momentin nuk kemi lekë, sapo ato të sigurohen, do t’u jepen”.

Ky shqetësim është ngritur nga futbollistët që ditët e fundit të sezonit të kaluar. Shqetësimi vjen në rritje kur mëson se një pjesë e lojtarëve, ato me banim në qytetin e Burrelit, i kanë tërhequr pagat e plota, ndërsa “mysafirët” ende jo, megjithëse kanë mbajtur peshën kryesore në skuadër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *