Orët e fundit të merkatos janë ato kur pritet goditja e madhe. “Çmenduria” e klubeve më të rëndësishëm, që të detyruar nga rrethanat apo pritshmëritë e tifozëve shpenzojnë shifra marramendëse. Si i tillë erdhi edhe lajmi për ofertën “bombastike” të Realit të Madridit.
180 milionë euro për Paulo Dibala. Një goditje e madhe. Një lëvizje surprizë, kur kanë mbetur vetëm pak orë nga mbyllja e merkatos së verës. Lajmi u publikua nga Maurisio Hidalgo, reporteri i të përditshmes argjentinase “Diario Ole” pranë kampionëve të Europës. Një postim në adresën personale në “twitter” vendosi në lëvizje të gjitha mediat ndërkombëtare.
? EXCLUSIVA MUNDIAL ?
Acuerdo total entre Real Madrid y Juventus. PAULO DYBALA será jugador del Real Madrid antes del 31 de agosto. El club español pagará 180 millones de euros por el argentino, que cobrará 16 millones netos al año.#RealMadrid #Juventus #fichajes #OLÉ pic.twitter.com/p1svpIiOPJ
— Mauricio Hidalgo (@MHidalgoOLE) August 29, 2018
Ai pretendonte se transferimi i Dibalas do të realizohej gjatë kësaj vere, madje në postimin e publikuar, shkonte edhe më tej, duke njoftuar se dy klubet kanë arritur marrëveshjen. Reali do të realizonte blerjen e madhe për të zëvendësuar Kristiano Ronaldon, Juventusi do të arkëtonte 180 milionë euro, ndërsa Dibala do të përfitonte 16 milionë euro pagë në “Bernabeu”.
Një lajm i madh, nëse nuk do të ishte për faktin se bëhet fjalë për një mashtrim. Gazeta “Ole” mohoi se gazetari Maurisio Hidalgo punon për ata. Deri më tani, nuk ka patur asnjë sinjal për një transferim të këtyre përmasave dhe kjo të bën të mendosh, se bëhet fjalë për një spekulim. Operacioni duket në kufijtë e të pamundurës, megjithatë deri në momentin kur merkato do të mbyllet, asgjë nuk mund të thuhet me siguri të plotë.