Fuenlabrada nuk ka rezultuar një rival edhe aq i lehtë për Real Madridin në Kupën e Mbretit. Skuadra madrilene sot mposhti 2-0 modestët në transfertë dhe e sheh veten në kushte të rehatshme për kalimin e raundit të katërt.
Trajneri Zinedin Zidan nuk luajti me titullarët, sigurisht, sepse rezultati do të ishte krejt tjetër. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, për t’i “shqyer” rrjetat në të dytën. Fillimisht shënoi Marko Asensio me penallti (63′) dhe më pas Lukas Vaskes gjithashtu nga pika e bardhë e 11-metërshit (80’).
Fundi i takimit qe mjaft problematik për të dyja skuadrat, me Pako Kandelën dhe Hesus Vajehon të cilët u larguan nga fusha të ndëshkuar me kartonë të kuq.
Gjithsesi, me yje si Kristiano Ronaldo, Toni Kros, Isko, Serxho Ramos dhe Marselo jashtë, Zinedin Zidan ia doli të fitonte ndeshjen e radhës, duke iu afruar kështu synimit të tij për të fituar të vetmin trofe ende të paprovuar si trajner i “Los Blancos”, Kupën e Mbretit.