Sezoni i shkuar në Superiore nuk kishte asnjë histori të vetme sa i përket titullit kampion, Tirana krijoi kampionat më vete. Megjithatë ishte shumë i luftuar sa i përket Europës dhe mbijetesës. Më veçanërisht daljes në skenën europiane, teksa fitorja e Vllaznia kundër Laçit në finalen e Kupës, e la Kukësin në shtëpi.
Nëse Laçi do t’ia kishte dalë të fitonte këtë trofe, atëherë do të ishin shkodranët që mbeteshin në shtëpi dhe Kukësi që do të dilte në Europë. Të gjithën këtë, trajneri i ri, Skënder Gega, do të duhej që ta shihte nga televizori pa pasur asgjë në dorë për të ndryshuar situatën.
I sapo ardhur në skuadër, Gega ishte duke pritur se çfarë do të sillte fati për të. Në fund rezultoi se i humburi i madh, në fakt mund të jetë i fituari më i madh. Të gjitha ekipet e Superiores dolën pa rezultat nga ajo aventurë në Europë.
Lojtarë të sfilitur dhe herë herë që shihen pa dëshirë për të luftuar në fushë, kërkonin një periudhë qetësimi pas gjithë axhendës së ngeshur. Ndërkohë Kukësi e ka pasur këtë mundësi. Për shkak të mungesës së angazhimit europian, verilindorët janë qetësuar më tepër se rivalët e tyre për titull dhe njëkohësisht Skënder Gega ka pasur më tepër kohë sesa do të kishte nëse Kukësi do të kishte hyrë në Europë.
Edhe në aspektin ekonomik kundërshtarët e tjerë nuk kanë dalë me bilance positive mbreslënëse krahas me verilindorët dhe e parë në këtë mënyrë, më shumë ka sjellë sfilitje që do të ndihen në javët e para të kampionatit sesa përfitime. /Sport Ekspres/