Rastësitë janë të shumta në jetë dhe gjithashtu janë edhe pjesë e futbollit. Gjithsesi, rasti që do t’iu prezantojmë më poshtë është diçka magjike dhe në kufijtë e të pabesueshmes.
Noruiç Siti e përfundoi sezonin duke u kurorëzuar kampion i “Championship” (kategoria e dytë angleze), duke fituar të drejtën për t’u ngjitur në Premier League sezonin e ardhshëm. Ngjitja e Noruiçit një kategori më lart, duket se ka qenë një profeci.
“Kanarinat” kanë luajtur ndaj gjashtë rivalëve në fazën përgatitore përpara nisjes së sezonit dhe të gjashtë rivalët, ashtu si Noruiç, janë ngjitur një kategori më lart. E pabesueshme, por e vërtetë.
KINGS LYNN TOWN
Noruiç u përball me “amatorët” në 7 gushtin e 2018, me Kings Lynn që në fund të sezonit festoi ngjitjen në kategorinë e gjashtë angleze, pas fitores në finalen e fazës “Play-Off”.LINKOLN SITI
Linkoln dhe Noruiç u përballën me njëri-tjetrin në 11 gusht 2018 dhe në fundin e sezonit, Linkoln Siti u kurorëzua kampion i League Two (kategoria e katërt angleze), duke fituar të drejtën e ngjitjes në League One për sezonin e ardhshëm.ÇARLTON ATLETIK
Noruiç u përball me Çarlton 28 korrikun e vitit të shkuar dhe në fund të sezonit, ekipi i njohur anglez fitoi të drejtën për t’u ngjitur në Championship, pas triumfit në finalen e madhe të “Play-off” kundër Sandërlend.LUTON TOWN
Ekipi i Lutoni ishte kampion në League One, duke u ngjitur në Championship pas plot 12 vitesh errësirë. Me Noruiçin ata u përballën në 25 korrik 2018.PADERBORN
Kalojmë në Gjermani tashmë, ku Paderborni arriti një mrekulli të vërtetë, duke bërë një super sezon dhe duke fituar të drejtën e ngjitjes në Bundesligë, pasi e mbylli sezonin në vendin e dytë. Me 15 gusht të vitit të shkuar, ekipi gjerman u përball me Noruiç Sitin në miqësore.UNION BERLIN
Për ta mbyllur me ekipin që vërteton se e gjitha ishte vërtet një “profeci”. Unioni i Berlinit u ngjit për herë të parë në historinë e tij në Bundesligë, teksa një natë më parë barazoi pa gola ndaj Shtutgartit në ndeshjen e kthimit (2-2 ndeshja e parë në fushën e Shtutgart). Ekipi nga Berlini u ndesh me “magjistarët” e Noruiçit në 17 gusht të vitit të shkuar.