Ylber Ramadani nuk do të jetë në dispozicion të trajneri Kristian Panuçi në dy ndeshjet që kombëtarja do të luajë kundër Skocisë dhe Uellsit. Kjo dihej në fakt, pasi mesfushori ka pësuar një frakturë në dorë me klubin e tij në Danimarkë.
Me interes pritej të mësohej se kush do ta zëvendësonte atë për këto dy ndeshje, por nuk do të ketë ndonjë tjetër lojtar që do të afrohet. Të paktën këtë ide të lë të krijosh njoftimi i fundit i Federatës Shqiptare te Futbollit. Thirrja e Kaçes pas largimit të Sadikut duket se do të jetë lëvizja e vetme.
“Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani është dëmtuar në dorë dhe për këtë arsye nuk do të jetë në shërbim të trajnerit Kristian Panuçi për dy ndeshjet e radhës së kombëtares me Skocinë e vlefshme për UEFA Nations League në datë 17 nëntor ora 20:45, e cila do të luhet në stadiumin ‘Loro Borici’ dhe në ndeshjen miqësore ndaj Uellsit më datë 20 nëntor ora 20:00 në ‘Elbasan Arena’. Kujtojmë që Ramadani aktivizohet në radhët e ekipit Vejle Boldklub në Danimarkë”, njofton FSHF.