Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka qenë i ftuar sot në emisionin Procesi Sportiv në Top Channel, ku ka folur për tema të ndryshme, por natyrisht Partizani mbetet në fokus. Nga merkatoja, te infrastruktura dhe sezoni aktual, Rama është optimist për të ardhmen e Partizanit.
Fitorja ndaj Teutës – “Shumë e vështirë, Teuta ka një skuadër të mirë dhe edhe fitorja në Durrës në fazën e parë erdhi me shumë vuajtje. Dje skuadra krijoi më shumë lojë e raste, por në fund na ndihmoi fati, por na shpërbleu edhe këmbëngulja dhe dëshira e lojtarëve për të fituar, duke luftuar deri në fund. Janë tre pikë shumë të rëndësishme, sepse objektivi është larguar shumë pas ecurisë së dobët në fazën e parë. Gjithsesi, po afrohemi dhe skuadra po fiton besim.
Starova – “Një bast i fituar që në nisje, sepse ai garantonte një integritet tekniko-taktik të ekipit, është një njohës shumë i mirë i kampionatit shqiptar dhe faktikisht është shumë i përgatitur. Starova ka fituar lojtarët veteranë, të vetët, që i janë përgjigjur lojës që kërkon trajneri.
Titulli – “Derisa matematika të mos na dënojë, do të besojmë. Edhe Asani tha të njëjtën gjë pas ndeshjes. Synimi është të përmirësojmë sa më shumë lojën dhe të afrohemi me kreun ndeshje pas ndeshjeje.
Telushi – “Nuk është ende zyrtare, por ai ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Partizanit. Ka dashur edhe më parë të bëhet pjesë e Partizanit, jemi pranë marrëveshjes.
Lukas -“ Është një përforcim i mirë për klubin tonë, marrë nga Pelisteri në Maqedoni. Është një lojtar i fuqishëm, i aftë të sulmojë e të shënojë gola, i cili do ta na ndihmojë shumë. Tifozët presin një sulmues të madh, si Ekuban? Po punojmë, jo vetëm për një bomber.
Merkato – “Duam të ndërtojmë strukturat, na duhen skautë, të zbulojmë talentet, të vëzhgojmë anembanë, edhe në Kosovë, ku ka shumë lojtarë cilësorë. Ka shumë lojtarë që më kanë pëlqyer shumë këto vite që ndjek futboll. Telushi më ka pëlqyer shumë në aspektin teknik, pak më pak në aspektin e karakterit. Më pëlqejnë lojytarët e Luftëtarit, Abazaj, Bregu e Rroca. Edhe Çyrbja është shumë interesant. Gavazaj e Taku nga Skënderbeu janë lojtarë mjaft interesantë, por po flas në kuadrin e pëlqimit tim personal, jo se do t’i marrim te Partizani, të gjithë këta lojtarë.
Moxhi – “Do të mbajë rolin që ka pasur, si këshilltar i presidentit. Ai ka një CV të jashtëzakonshme, nuk ka nevojë të flas unë për të. Nuk mund të jetë 24 orë në ditë në Shqipëri, është normale. Eksperienca e tij në ndërtimin dhe organizimin e klubit është shumë i rëndësishëm, është për t’u admiruar mënyra si i sheh gjërat dhe si i ndan detyrat. Ne si shqiptarë e kemi defektin që duam të bëjmë punën e shefit, por Moxhi na e përsërit shpesh që secili të bëjë punën që i takon. Nëse e bën mirë punën tënde, ngrihesh në detyrë. Moxhi tani është edhe më i lidhur me Partizanin, sepse e sheh si sfidë të vetën dhe kërkon të ndihmojë për ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm biznesi, që të kthehet i qëndrueshëm, me vetëfinancim, jo thjesht të kapë ndonjë të ardhur nga UEFA për pjesëmarrjen në Europë, por që të krijohen vetë talentet dhe të promovohen, për t’i shitur më pas.